KB Bashkimi dënohet rëndë për incidentin ndaj KB Pejës

Klubi Basketbollistik Bashkimi nga Prizreni është dënuar me tre ndeshje pa praninë e tifozëve. Ky vendim vjen pas incidentit në fundin e ndeshjes të dielën nga KB Peja.

Klubi prizrenas ka kërkuar rishqyrtimin e këtij vendimi duke thënë se përleshja ka ndodhur mes sigurimit fizik dhe kryesisë së klubi, e jo ndaj skuadrës mysafire.
“Komisioni disiplinor ka marrë një vendim të rëndë, duke dënuar KB Bashkimin me 3 ndeshje pa praninë e tifozëve në terrenin vendas. Ky vendim godet padrejtësisht jo vetëm klubin, por mbi të gjitha një tifozeri të flaktë, të përkushtuar dhe të pafajshme në këtë rast.
Pse duhet të dënohet tifozeria jonë, kur përplasja ka ndodhur mes sigurimit fizik dhe kryesisë së klubit? Askush nga tifozët nuk ka qenë pjesë e këtij incidenti, ndaj është e pakuptimtë të përjashtohen ata që nuk kanë asnjë faj.
Nëse kore, thirrje të zjarrta apo sharjet, janë arsye për dënime të tilla, atëherë duhet të mbyllen të gjitha tifo grupet dhe palestrat në botë. Tifozeria është zemra e sportit, dhe pa të, loja humb kuptimin.
Ky dënim nuk është vetëm një ndëshkim sportiv, është një grabitje e mundësisë reale të KB Bashkimit për të luftuar për titullin kampion. Tereni vendas në këtë fazë të sezonit është vendimtar dhe ky vendim i Komisionit, me ose pa dashje, rrezikon të ndikojë drejtëpërdrejtë në fatin e kampionatit.
Kërkojmë drejtësi. Kërkojmë rishqyrtim. Kërkojmë që tifozeria të mos ndëshkohet për diçka që nuk ka lidhje me të” thuhet në kërkesën e klubit prizrenas./Indeksonline/