Këshilli i protestuesve: Për kërkesat tona EVN do na njoftojë me shkrim

164

Këshilli i protestuesve: Për kërkesat tona EVN do na njoftojë me shkrim

Këshilli i protestave të Tetovës kundër EVN-së dhe Shoqëria për energjetikë “Drita” kanë pasur takim me përfaqësues të EVN-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit me rrymën. Nga Këshilli protestues thanë se të gjitha kërkesat e tyre i kanë dorëzuar dhe presin që të njoftohen me shkrim për zgjidhjen e tyre.

“Pas takimit të sotëm, ku patëm një diskutim të hapur dhe konstruktiv, morëm premtim se problemet që i takojnë EVN-së hap pas hapi do të zgjidhen. Përgjigje me shkrim ne do të marrin gjatë ditëve në vijim dhe do t’iu informojmë të gjithëve”, deklaroi Blerim Fejzuli nga Këshilli qytetar i Tetovës kundër EVN-së.

Nga EVN zotohen se të gjitha problemet që janë në kompetencë të EVN-së do të zgjidhen. Ata njoftuan se veç më kanë filluar të shqyrtojnë se si t’i zgjidhin problemet e protestuesve.

“Secilën kërkesë të tyre, apo secilën mosmarrëveshje ne mundohemi ta zgjidhim. Për atë që është në kompetencë të EVN-së, veç më EVN ka dhënë disa propozime konkrete dhe u morëm vesh që të njëjtat t’i shpalosim me shkrim që të mund ta dinë se kur dhe si do të zgjidhen problemet, me atë që ne edhe gjatë fundjavës kemi punuar për kërkesat e tyre dhe do të fillojmë t’i realizojmë një nga një gjatë periudhës së ardhshme”, theksoi Atanas Kovaçevki nga EVN.

Tetovarët disa ditë protestuan kundër EVN-së. Kërkesat e tyre janë që faturat të vijnë në gjuhën shqipe, të largohet 33%, si dhe të mos paguajnë orëmatësin 520 euro.

Comments