Kim Mehmeti kritikon koalicionin VLEN, akuzon për servilitet ndaj pushtetit maqedonas

Në një shkrim në rrjetin social facebook analisti i njohur Kim Mehmeti, me kritika të ashpra ndjaj partive shqiptare në qeverisje duke i akuzuar për servilitet ndaj partive maqedonase në pushtet. Sipas tij, shqiptarët që nga periudha e pavarësisë së Maqedonisë janë përdorur për të mbështetur sundimin maqedonas, të udhëhequr nga vasalët shqiptarë, të cilët, sipas tij, kurrë nuk janë shfaqur kaq të dukshëm si tani.
“Jo nga sot, por qysh se ekziston ajo si e pavarur, Maqedoninë e kanë drejtuar sunduesit maqedonas të ndihmuar nga vasalët shqiptarë. Dhe ai vasalitet kurrë nuk ka qenë kaq i dukshëm sa sot, kur atë e përbëjnë ‘motrat’ e përdala politike të vëllazërisë së ‘VLEN-it’. Dhe jo nga sot, por qysh se kanë filluar të bëhen pjesë e qeverive maqedonase, pushtetarët shqiptarë kanë bërë çmos që të jenë sa më promaqedonas e sa më properëndimorë, duke harruar se votën e kanë marrë nga populli i vet për të qenë vetëm sa më proshqiptarë,, ka shkruar Kim Mehmeti në rrjetin social Facebook. Për Mehmetin, ky vazalizëm politik sic e quan ai, është një fenomen që i ka kushtuar rëndë shqiptarëve, duke i lënë ata më të margjinalizuar se kurrë.

TV Klan Maqedoni dërgoi pyetje deri tek koalicioni VLEN, në përgjigje të akuzave të Mehmetit nga VLEN shkurt thanë (VLEN) Nuk japim përgjigje për komentet e analistëve politikë.
Qeveria është formuar me premtimin e madh të koalicionit VLEN, se brenda gjashtë muajve do të hapen bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por pas këtij afati asgjë nuk ka ndryshuar, dhe integrimi evropian mbetet i bllokuar. Nga VLEN gjithashtu kishin premtuar ndryshime kushtetuese dhe hapjen e bisedimeve me BE-në, por deri tani asnjë nga këto angazhime nuk janë përmbushur, duke e lënë vendin të paralizuar. Partia opozitare çdo ditë është duke akuzuar për siç e quajnë dështimet e njëpasnjëshme të pushtetit dhe degradimin e pozitave të shqiptarëve. /tvklan.mk/