Kocit i vjen te hunda: Zgjedhje të reja, jo nesër por sot – këta politikanë të paaftë, të padijshëm, të rrezikshëm

Avokati Arianit Koci këtë të diele ka shprehur indinjatë të madhe me politikanët vendorë – në dritën e ngërçit të madh në themelimin e institucioneve, ku Lëvizja Vetëvendosje s’po arrin dot të bëjë numra për të ndërtuar qeverinë, e as të zgjedh organet e Kuvendit të Kosovës.
Koci kërkoi me “domosdoshmëri” zgjedhje të reja, dhe atë “jo nesër, por sot”.
Postimi i Kocit:
Zgjedhjet janë të domosdoshme. Jo nesër, por sot.
Shyqyr që nuk i njihni disa liderë tanë, qysh i njoh unë. Po t’i njihnit – kishit ikë prej Kosove brenda natës.
Shumica janë të paaftë dhe të padijshëm. Disa – të rrezikshëm.
Gjysmë analfabetë, nuk e kuptojnë as realitetin, as përgjegjësinë që e mbajnë mbi supe.
Skajshmërisht primitivë në sjellje dhe vendimmarrje.

Një pjesë e tyre e kqyrin vetëm interesin personal dhe pasurinë e vet, në kurriz të shtetit dhe qytetarëve.
Për pasojë, na kanë bërë horë – sidomos në kontaktet me bashkësinë ndërkombëtare.
Kosova sot nuk merret seriozisht. Fytyra e shtetit po dëmtohet përditë, dhe nuk ka askush që e ndal këtë rënie.
Natyrshëm, me kohë secilit po i del fytyra. Po dekonspirohen, një nga një.
Është evidente: nuk po na ecë mirë asgjë. As në ekonomi, as në drejtësi, as në administratë, as në politikën e jashtme. Jemi bllokuar, dhe po shkojmë drejt përkeqësimit.
A nuk po e shohim që krejt shtetet përreth po përparojnë ekonomikisht më shumë se ne? A nuk po e kuptojmë që nëse vazhdojmë kështu, do ta lëmë shtetin në stihi, dhe në fund do të ikim prej tij, një nga një?
Na duhet ndryshim i vërtetë. Jo arnim. Jo improvizim.
Prandaj, pa humbur kohë – zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për me ia shpëtuar dinjitetin këtij shteti.