Kolonat e gjata kufitare RMV-Kosovë, BDI: Zbatim i “botës serbe” për të penguar lëvizjen e lirë të shqiptarëve në dy anët e kufirit

103

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj situatës kaotike me kolona shumë të gjata në vendkalimet kufitare nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë.
BDI thonë se kjo qeveri po zbaton idenë e “botës serbe” për largimin dhe pengimin e qarkullimit të lirë të shqiptarëve ndërmjet të dy shteteve, teksa ka kërkuar urgjent reagim institucional për këtë gjendje.

Reagimi i plotë:
Çfarë fshihet pas pritjeve të gjata që po i bëjnë qytetarët të mendojnë dy herë për të vizituar Kosovën?
Pas shumë vitesh, shqiptarët për herë të parë po mendojnë dy herë nëse ia vlen të shkojnë në Kosovë për një drekë apo për të vizituar familjarët dhe miqtë.
Pritjet e gjata dhe të papranueshme në pikën kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë krijuar një pengesë të madhe në lëvizjen e lirë të njerëzve.
Shkupi dhe Prishtina, dy Kryeqytetet më të afërtat në rajon me një udhëtim prej më pak se një ore, tani janë bërë të paarritshme.
Është e qartë se pas kësaj situate ka një plan për të ngadalësuar komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy anëve të kufirit dhe siç duket vonesat jane te qellimshme dhe kane për qellim dekurajimin e lidhjeve te forta e te ngushta mes dy shteteve, posaçërisht te shqiptareve.
Kjo duket si një përpjekje për të zbatuar ndikimin e “botës serbe”, që tashmë ka kapluar këtë qeveri.
Dhe më e dhimbshmja, partitë me 1% mbështetje janë bërë bashkëpunëtorë të kësaj politike.

Është koha që qytetarët dhe institucionet të reagojnë ndaj kësaj pengese artificiale që po dëmton marrëdhëniet tona vëllazërore dhe po frenon zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe social ndërmjet shqiptarëve.
Lëvizja e lirë nuk është vetëm e drejtë, por edhe nevojë për popullin tonë në të dy anët e kufirit!

Comments