Kosova sanksionon Republikën Islamike të Iranit, i vendos sanksione shtesë Rusisë

168

Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe pakon e re shtesë të sanksioneve kundër Federatës Ruse.
Në mbledhjen e qeverisë, zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi ka theksuar se sanksionet janë të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe aleatët tjerë, për siç u tha mbrojtjen e plotë të vlerave të përbashkëta dhe demokracisë.

Sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, Gashi ka thënë se janë të lidhura me vdekjen e opozitarit rus, Alexei Navalnyn.

“Në vazhdim të mbështetjes së kundërshtimit të agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe në përputhje me sanksionet e BE-së dhe SHBA-ve, MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim vendime për zbatimin e pakos së 12 dhe 13 të sanksioneve të BE-së për minimin dhe cenimin e integritetit territorial të Ukrainës dhe shkeljen e të drejtave të Federatës Ruse, që lidhen ngushtë me vrasjen e opozitarit rus Navanly…Si dhe pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit, gjegjësisht ndaj personave të subjekteve të përfshirë në aktivitetet e raketave bërthamore dhe balistike dhe personave e etniteteve që ofrojnë mbështetje për Qeverinë e Iranit…Duke pas gjithnjë parasysh qëllimet për mbrojtjen e paqes, demokracisë, marrja e këtyre vendimeve do të kontribuonte në vazhdimësi e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të, BE-në dhe partnerët tjerë për mbrojtjen e plotë të vlerave të përbashkëta dhe demokracisë”, tha Gashi.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës, ka ndarë 142 mijë euro për mbajtjen e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga prestigjiozja “The Economist”. Për këtë, Kurti ka thënë se është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin global të sukseseve të Kosovës

“Mbajtja e kësaj konference në Prishtinë e organizuar nga organizata prestigjioze ‘The Economist’, me pjesëmarrjen e mysafirëve të huaj të rëndësishëm dhe me ekspozim mbarë botëror përmes platformave sociale të ‘The Economist’ është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin global të sukseseve të Kosovës. Kjo ngjarje kontribuon në rritjen e imazhit ndërkombëtar të vendit tonë, duke theksuar përparimet tona në fusha të ndryshme dhe dujke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe investime. Mjetet buxhetore të ndahen në shumë prej 142 mijë euro. Mjetet ndahen nga buxheti i ZKM, nga programi për promovim të vendit”, tha Kurti.

Ndërkaq, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është miratuar edhe Drafti i Strategjisë së Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale 2024- 2034. Ministrja e Drejtësisë, Haxhiu ka thënë se strategjia ka për qëllim të ndihmojë të korrigjojë padrejtësitë, të shërojë traumat e shkaktuara nga e kaluara e dhimbshme që janë pasojë e krimeve që Serbia ka bërë në Kosovë.

“Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësisë tranzicionale në përgjithësi në vendin tonë i ka munguar një vizon strategjik, pra përfshirja e mirëfilltë e kategorive të viktimave si dhe qëndrueshmëria institucionale. Në këtë drejtim me qëllim të krijimit të një platforme të qëndrueshëm kemi hartuar këtë dokument strategjik, jashtëzakonisht të rëndësishëm për adresimin e krimeve të luftës duke krijuar kështu hapësirë për të vendosur fakte për të kaluarën, duke siguruar kompensim për padrejtësitë, traumat e lidhura me luftën. Në hartimin e kësaj strategjie, Kosovës po i krijojmë një kornize për trajtimin e shkeljeve masive te të drejtave të njeriut e krimeve të luftës, përkatësisht po angazhohemi që të ndërtojmë themelet e një ardhme më të mirë. Strategjia ka për qëllim të ndihmojë të korrigjojë padrejtësitë, të shërojë traumat e shkaktuara nga e kaluara e dhimbshme që janë pasojë e krimeve që Serbia ka bërë në Kosovë”, tha ajo.

Në mbledhjen e qeverisë të enjten, është miratuar edhe propozim-vendimi Preliminar për shpronësim për interes publik, për nevoja të Depos Qendrore të Barnave dhe akomodim të administratës së Ministrisë së Shëndetësisë (MMPHI), për të cilën ministri i shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se ky vendim është mjaft i rëndësishëm për ruajtjen e barnave,

“Më në fund pas shumë dekadash po shpronësohet një parcelë ku do të ndërtohet një depo moderne për ruajtën e barnave që do t’i plotësoj gjitha standardet, dhe po kryhet një obligim që kemi pasur edhe ndaj qytetarëve dhe paicnteve tanë”, tha Vitia.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe projektligjit për menaxhimin e resurseve ujore nga MMPHI, i cili sipas, zëvendësministrit në këtë ministri, Jeton Raka me këtë projektligj themelohet Agjencia për menaxhimin e resurseve ujore, si agjenci ekzekutive me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara qartë.

Po ashtu është miratuar edheProjekt-rregullorja për përcaktimin e procedurave efektive për identifikimin, raportimin dhe referimin ndaj shfrytëzimit, neglizhimit dhe abuzimit te fëmijës si dhe për Mbrojtjen e Fëmijës ne Situate Rruge. Me këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se kjo ministri ka kompletuar gjithë infrastrukturën e akteve që derivojne nga ligji për mbrojtjen e fëmijës.

Ndërsa, është miratuar edhepropozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit te Qeverise për emërimin e Bordit Drejtues te Shërbimit Spitalor Klinik i Universitar te Kosovës.

Po ashtu, është propozuar edhe grupi redaktues që do të merret me trajtimin e veprave të botuara si dhe të dorëshkrimeve të pabotuara të profesor, Ukshin Hoti.

Comments