Kosova, shumë shpejt me ambasadë në Emirate
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ambasadoren e Emiratave të Bashkuara Arabe në Podgoricë, Hafsa Abdulla Al Ulama.
Ambasadorja u interesua për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe përgjithësisht për klimën e investimeve në Kosovë, bën të ditur një komunikatë nga Kuvendi.
“Veseli potencoi funksionalitetin demokratik të Kuvendit të Kosovës dhe përmbushjen e misionit të tij sipas mandatit që ka. Veseli theksoi kushtet e favorshme që ka Kosova për të bërë biznes, duke veçuar edhe miratimin e Ligjit për investime strategjike, bazë kjo që tërheq investitorët e huaj”, njofton komunikata.
Veseli siguroi ambasadoren se Kosova shumë shpejt do ta hapë Ambasadën e vet ne EBA, “e cila do të jetë adresë zhvillimit të interesave reciproke në shumë fusha të jetës së qytetarëve të të dyja shteteve”, thuhet në komunikatë.
Veseli dhe Al Ulama u dakorduan për të hulumtuar mundësitë e shkëmbimeve tregtare, si dhe atyre në fushën e shëndetësisë.