Krasniqi për vizitë në Hagë: Presidenti Thaçi i qetë dhe i palëkundur, e di se e vërteta s’mund të burgoset përgjithmonë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi njoftoi për një vizitë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë ku po mbahen disa nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se ish-presidenti Hashim Thaçi ishte “si gjithmonë, i qetë dhe i palëkundur”.

“Sot, një tjetër vizitë në Hagë – në një vend që për Hashim Thaçin dhe çlirimtarët tanë është një betejë e re. Një front ku liria tash e pesë vjet po mbrohet ndryshe – me qëndresë dhe dinjitet. Presidenti Thaçi, si gjithmonë, i qetë dhe i palëkundur. E di se e vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë. Me të njëjtën energji dhe optimizëm, foli për Kosovën, për rrugën tonë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë – e cila gjithmonë kërkon sakrificë dhe angazhim të pandalshëm”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook.
“Asnjë ankesë, asnjë shenjë hidhërimi – edhe pse padrejtësisht i mohohet e drejta për të parë babanë e tij të sëmurë. Vetëm një besim i palëkundur se drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë”, shtoi ai.
“Dhe kur nata të kalojë e hija e padrejtësisë të shembet – me dritën e së vërtetës dhe të lirisë – Dielli do të lindë përsëri!”, shkroi Krasniqi.