Kremlini ngre dyshime lidhur me deklaratën e Trumpit për paqeruajtësit evropianë

Kremlini ka refuzuar që të konfirmojë deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, se Rusia është e gatshme “të pranojë” trupa evropiane në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje të paqes – edhe pse ka lënë hapësirë për një ujdi të mundshme.
Trump i bëri këto komente pasi u takua me homologun francez, Emmanuel Macron, në Shtëpinë e Bardhë, teksa u përgjigj në një pyetje lidhur me dislokimin.
“Në mënyrë specifike ia kam bërë këtë pyetje [presidentit rus, Vladimir Putin]. Ai nuk ka asnjë problem me të”, tha Trump më 24 shkurt.
Kjo bëri që të parashtrohen pyetje gjatë konferencës së rregullt për media që mbajti në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 25 shkurt.
Përgjigja e tij? Ai tha se nuk ka “asgjë për të shtuar” për deklaratën e hershme se dislokimi i paqeruajtësve nga shtetet e NATO-s në Ukrainë ishte i pranueshëm për Moskën.
“Ka një qëndrim për këtë çështje që është shprehur nga ministri i Jashtëm rus, [Sergei] Lavrov. Unë nuk kam çfarë t’i shtoj kësaj”, tha Peskov.
Përderisa kjo duket se hedh dyshime mbi deklaratat e Trumpit, po ashtu duket se nuk i kundërshton ato në mënyrë të drejtpërdrejtë. Një mision i udhëhequr nga shtetet evropiane të NATO-s nuk është njësoj me një kontingjent ndërkombëtar paqeruajtësish nga e gjithë bota, që do të përfshinte edhe forca evropiane.
Të gjitha palët kanë thënë se bisedimet janë në fazë fillestare dhe Peskov ka mundësi që qëllimshëm ka bërë një deklaratë me dykuptimësi. Ai po ashtu mund të ketë qenë duke e ruajtur këtë si diçka që mund të prezantohet më vonë si një koncesion rus, për ta shitur me çmimin më të lartë të mundshëm.
Në çdo rast, ideja që nuk pati shumë mbështetje kur Macroni e propozoi për herë të parë një vit më herët, tani po diskutohet seriozisht.
Aspektet ushtarake
Nicu Popescu nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, vuri në pah dallimin mes një force paqeruajtëse dhe asaj që është quajtur “një forcë sigurie”, e cila është e dizajnuar për të luftuar nëse Ukraina sulmohet sërish.
“Problemi me misionet tradicionale paqeruajtëse është se ato janë të lidhura me vendimet e Kombeve të Bashkuara, që do të thotë se Rusia mund të vendosë veto apo të përfundojë misionin në çdo moment”, tha ai për Radion Evropa e Lirë muajin e kaluar.
Jamie Shea, i cili ka shërbyer në disa poste të larta në NATO para se të pensionohej më 2018, tha se pajtohet me këtë qëndrim, por ai ngriti edhe dy çështje të tjera.
“A duhet t’i përdorim forcat e NATO-s që aktualisht mbrojnë kufijtë e aleancës në Evropën Qendrore dhe Lindore? Polonia është kundër kësaj. Dhe, a duhet të përqendrohemi më shumë në forcimin e ushtrisë ukrainase si forcë kryesore për ndalim dhe të shpenzojmë paratë tona për këtë, në vend për një forcë evropiane të sigurisë [sikurse po kërkon Danimarka]?”.
Ne mund të mësojmë më shumë kur kryeministri britanik, Keir Starmer, të takohet me Trumpin në Uashington më 26 shkurt. Starmer ka thënë se Britania do të ishte e gatshme të dërgojë trupa në terren në një mision për të cilin do të kishte “garanci” nga SHBA-ja, siç është fuqia ajrore.

“Evropianët duhet të jenë të kujdesshëm për dështimin në Bosnje në fillim të viteve ’90, kur evropianët ishin në terren dhe kritikonin vazhdimisht amerikanët që ishin të sigurt në ajër”, tha Shea, i cili u bë i njohur si zëdhënës i NATO-s gjatë luftërave në Ballkan në vitet ’90.
Deklaratat e Starmerit lidhur me gatishmërinë për të dërguar trupa tërhoqën vëmendjen e mediave, por gjithashtu kritikët thanë se kapacitetet ushtarake të Britanisë janë të kufizuara. Ndër kryesorët në mesin e kritikëve ishte Richard Dannatt, ish-kreu i ushtrisë britanike, i cili tha se ushtria është “aq e shkatërruar” sa që nuk mund të udhëheqë një mision të tillë.
Ushtria e Britanisë gjerësisht është përqendruar në operacione kundër terrorizmit dhe kundër kryengritjeve që nga sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Në dekadën e fundit është përballur me shkurtime dhe në një raport parlamentar në shtatorin e vitit të kaluar u tha se Britania ishte e “papërgatitur” për të luftuar kërcënimin rus.
Në korrik, vetë Starmeri tha se forcat e armatosura të Britanisë ishin “të dobësuara”.
Faktorët politikë
Fuqia tjetër e madhe ushtarake e Evropës është Franca.
Ushtria franceze është më e madhe në numra sesa ajo britanike, por po ashtu është sfiduar pasi për vite të tëra ka bërë dislokime luftarake në mbarë Afrikën. Ekspertët francezë kanë shprehur skepticizëm lidhur me kapacitetet e ushtrisë për një konflikt me intensitet të lartë, sikurse ai në Ukrainë.
“Ne na kanë mbetur vetëm gjashtë raketahedhës me rreze të gjatë veprimi, ne nuk kemi asnjë mjet për të luftuar kundër dronëve”, tha në nëntor të vit të kaluar Léo Péria Peigné nga Instituti francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Suedia dhe Holanda kanë lënë të kuptohet se mund të jenë të gatshme të ofrojnë trupa nën disa kushte të posaçme. Por, Polonia e cila ka një ushtri të madhe, tha se nuk është e gatshme për një gjë të tillë.
Gjermania aktualisht është duke kaluar nëpër një tranzicion politik pas zgjedhjeve të mbajtura në fundjavë. Si kancelari në largim, Olaf Scholz, po ashtu edhe pasardhësi i tij i mundshëm, fituesi i zgjedhjeve Friedrich Merz, nuk kanë qenë aq entuziastë sa i përket dërgimit të trupave gjermane. Por, asnjëri nuk e ka përjashtuar këtë mundësi dhe ka pasur sinjale nga partitë e të dyve se gjërat mund të ndryshojnë.
Por, sërish, diskutimet janë në fazën fillestare.
Një tjetër komponent nga Evropa mund të vijë nga disa nga shtetet nordike dhe baltike, që kanë qenë mbështetës të mëdhenj të Ukrainës.
Finlanda, Letonia, Lituania, Danimarka, Estonia, Islanda, Norvegjia dhe Suedia lëshuan një deklaratë të përbashkët më 24 shkurt, kur u shënua trevjetori i nisjes së luftës në Ukrainë, duke premtuar mbështetje më të madhe ushtarake.
Në deklaratë nuk u përmend dërgimi i trupave, edhe pse kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka lënë të kuptohet se kishte mendje të hapur për këtë çështje.
Po ashtu, peshë të madhe kanë edhe aspektet politike. Sondazhet në Evropën Perëndimore vazhdimisht kanë treguar se ka nivel të ulët të mbështetjes sa i përket dërgimit të trupave në Ukrainë.
Rreziqet për dërgimin e një kontingjenti të tillë, madje edhe në një rol joluftues, do të ishin të mëdha. Rregullat për përfshirje do të duhej të përcaktoheshin, duke përfshirë edhe atë se si do të reagohej nëse qëllohen nga forcat ruse dhe për pasojat politike nëse viktimat do të ishin në numër të madh./Radio Evropa e Lirë