Kryeministria e pranon se Kurti u mashtrua nga komedianët rusë: Ndodhi më 11 shkurt, s’mundëm t’i kryejmë verifikimet e plota

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka reaguar lidhur me grackën që ra kryeministri Albin Kurti të komedianëve rusë, të cilët iu paraqiten atij si presidenti i Letonisë.
ZKM arsyetohet se biseda u zhvillua më më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe se nuk kishin kohë për ta verifikuar.

Po ashtu, ZKM thotë se kjo bisedë tregon se “Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë”.
“Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate. Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”, tha ZKM.
“Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private”./Express/