Kryesia e PD-së miraton të gjitha pikat/ Analiza e 25 prillit, rishikimi i Statutit

499

Kryesia e PD ka miratuar ditën e sotme të gjitha pikat në rend dite.

Pikat e vendosura ishin data e kuvendit të partisë, ndryshimet statusore dhe zgjedhja e këshillit.

Më 17 korrik do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD-së, ku do të shqyrtohet  çdo propozim që mund të sillet për ndryshimet  statutore të PD.

Komisioni i Përhershëm Statutor përbëhet nga: Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm; Edi Paloka, Nënkryetar; Edmond Spaho, Nënkryetar; Albana Vokshi, Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas (LDG); Belind Këlliçi, Kryetar i Forumit Rinor të PD (FRPD); Jorida Tabaku, përfaqësuese e Kryesisë së Partisë; Enkelejd Alibeaj, përfaqësues i Kryesisë së Partisë; Enno Bozdo, përfaqësues i Kryesisë së Partisë; Grida Duma, përfaqësuese e Kryesisë së Partisë.

Sekretariati Teknik i Komisionit të Përhershëm Statutor përbëhet nga: Ervin Minarolli, Sekretar për Burimet Njerëzore; Ivi Kaso, Sekretar për Çështjet Zgjedhore; Çlirim Gjata, Sekretar për Çështjet Ligjore.

MBI METODOLOGJINË E ANALIZËS NË NIVEL QARKU, DEGE, GRUPSEKSIONI DHE SEKSIONI PËR MASAKRËN ZGJEDHORE TË 25 PRILLIT 2021

Në mbështetje të nenit 53 të Statutit të PDSH-së, me propozim të Sekretarit të Përgjithshëm, Kryesia e Partisë në mbledhjen e datës 18/06/2021,

VENDOSI:

1. Analiza e masakrës zgjedhore të 25 Prillit do të realizohet në të gjitha nivelet lokale të partisë, duke nisur nga çdo seksion e deri në nivel Qarku.

2. Drejtuesi Politik i Qarkut, ngarkon dhe bashkëpunon me Degët e Partisë që brenda datës 1 Korrik 2021, të paraqesin analizën e rezultatit të zgjedhjeve për çdo seksion dhe grupseksion, duke analizuar parametrat e performancës në raport me objektivat e synuara, si dhe shkaqet, rrethanat, faktorët dhe të dhënat historike elektorale për secilin prej tyre. Për këtë qëllim, në çdo Degë të Partisë, ngrihet një grup pune, që ka në përbërje:
a) Kryetarin dhe Sekretarine Degës;
b) Nënkryetarët e Degës;
c) Sekretarin Organizativ dhe Sekretarin për Çështjet Zgjedhore.

3. Grupi i Punës dhe/ose Drejtuesi Politik i Qarkut, në funksion të realizimit me objektivitet të analizës në fazën e parë, mund të mbledhë çdo organ vendor të Partisë, që vlerësohet i nevojshëm për shqyrtimin dhe analizimin e të dhënave të përpunuara. Përpara dorëzimit të Raportit në nivel Dege, Grupi i Punës informon Kryesinë e Degës për të dhënat e përgjithshme të analizës, dhe pasqyron në Raport çdo vlerësim apo konstatim të Kryesisë së Degës.

4. Brenda datës 5 Korrik 2021 Drejtuesi Politik i Qarkut paraqet Raportin përmbledhës të analizës në nivel qarku, sipas Formatit Tip të miratuar me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm, brenda 2 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

5. Raporti i plotë i analizës së masakrës zgjedhore të 25 Prillit i paraqitet për shqyrtim Kryesisë së Partisë brenda datës 10 Korrik 2021.

6. Në përfundim të fazës së parë të analizës, Sekretariati Organizativ i Partisë kryen fazën e dytë të analizës gjatë periudhës 11 Korrik – 31 Gusht 2021, në mënyrë të detajuar për çdo seksion dhe grupseksion, verifikon dhe analizon performancën e të gjitha niveleve lokale të partisë, evidenton mangësitë dhe nevojat për të nxitur rritjen e performancës. Brenda datës 1 Shtator 2021, Sekretariati Organizativ i Partisë i paraqet Kryesisë së Partisënjë informacion të plotë për gjendjen dhe veprimtarinë e strukturave vendore të partisë, si dhe i propozon, sipas rastit, ushtrimin e të drejtës së ndërhyrjes sipas nenit 45 të Statutit dhe/ose nevojën objektive për zgjedhje të reja në strukturat vendore të Partisë. I gjithë procesi i analizës dhe, aty ku është rasti, i ristrukturimit të organeve vendore të Partisë, përfundon brenda datës 30 Shtator 2021.

7. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Drejtuesit Politik të Qarqeve dhe Degët e Partisë, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI
Lulzim BASHA

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM
Gazment BARDHI

Top Channel

Comments