Kurti i lut qytetarët të kursejnë energjinë në kohën kur iu duhet më së shumti

66

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka hapur diskutimin me shqetësimin për furnizimin me energji elektrike në disa rajone të Kosovës.

Ai tha se problemet janë përcjellë tek operatorët e rrjetit, KOSTT dhe KEDS, duke kërkuar angazhim maksimal për të zgjidhur prishjet dhe për të siguruar komunikim të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët.

Kurti ka potencuar gjithashtu se është kërkuar përshpejtimi i punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt, pasi përfundimi i këtyre punimeve do të zgjidhte problemin e furnizimit me energji për këtë qytet dhe për zonat përreth.

“Këto shqetësime i kemi përcjellë tek operatorët e rrjetit, KOSTT dhe KEDS, dhe kemi kërkuar nga ta angazhim maksimal. Po ashtu, kemi kërkuar përkushtim në terren për riparimin e prishjeve dhe komunikim të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët. Puna urgjente për finalizimin e nënstacionit të ri të Ferizajt është thelbësore, pasi do të zgjidhë problemin për këtë qytet dhe për shumë vende të tjera,” tha Kurti.

Kryeministri ka bërë apel që qytetarët të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike, sidomos nga ora 18:00 deri në mesnatë, për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm për të gjithë.

Koha kur qytetarët zakonisht kthehen nga puna dhe kanë nevojë më së shumti për energji elektrike.

“Qytetarët i lusim të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike, sidomos nga ora 18:00 deri në mesnatë, në të mirë të sigurisë së furnizimit për vete dhe për vendin tonë,” u shpreh Kurti.

Comments