Kurti: Në Krushë të Madhe ndodhi një nga masakrat më mizore nga aparati shtetëror serb

67
fresco

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar sot në 26-vjetorin e vrasjes viktimat e regjimit serb në Krushë të Madhe.

“Në Krushë të Madhe përkujtuam një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb. Ndërmjet 25-27 mars 1999, forcat serbe vranë pamëshirshëm 155 civilë shqiptarë. Në mesin e tyre ishin edhe shtatë fëmijë e pesë gra. Njëra nga to ishte shtatzënë. Forcat e Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, mes tyre edhe intelektualin e jashtëzakonshëm e veprimtarin e paepur Ukshin Hoti. Mbi 700 shtëpi u dogjën, bashkë me institucione fetare e kulturore”.

Kurti shkroi edhe për krematoriumet ku u dogjën kufomat e viktimave pas vrasjes së tyre.

“Në njërin prej dy krematoriumeve në Krushë të Madhe, gjurmët e të cilit janë ende të dukshme, forcat serbe dogjën 19 civilë të pafajshëm shqiptarë. E në krematoriumin e dytë, në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, u dogjën mizorisht mbi 40 civilë të tjerë”.

midle

“Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Përkundër kësaj, drejtësia ende nuk ka vepruar dhe kryerësit nuk janë dënuar. Është evidente që policët dhe ushtarët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe dhe plan të qartë për të kryer masakrat duke tentuar dhe zhdukjen e kufomave e gjurmëve të krimit. Zhdukjet me dhunë, rrëmbimet, djegiet dhe hedhja e kufomave në lum, e forma të tjera ҫnjerëzore të dëmtimit e zhdukjes së kufomave, janë dëshmi të qarta të këtij projekti gjenocidal”.

Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Kurti përmendi funksionalizimin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

“Kemi zhvilluar bazën ligjore të munguar për shumë vite dhe rritur kapacitetet e institucioneve për adresim efikas të tyre. Në shërbim të drejtësisë për këto krime, kemi bërë të mundur gjykimin në mungesë të kriminelëve serbë të luftës. Kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, që ata të përballen me drejtësi”.

“Andaj, nga Krusha e Madhe bëra thirrje edhe një herë sistemit të drejtësisë në Kosovë që të trajtojë krimet e luftës me urgjencë dhe përgjegjësi morale, historike e kombëtare përveçse atë profesionale. Themeli i paqes është drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i kriminelëve. Lavdi 22 dëshmorëve dhe 155 martirëve nga Krusha e Madhe!”.

Comments