Kurti për masat e BE-së: Janë disa dinamika të brendshme në BE, për të cilat po e pëson Kosova
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato të padrejta dhe të pakuptimta. Në një intervistë për KosovaPress, Kurti shprehu shqetësimin për vazhdimin e këtyre masave.
Kreu i qeverisë tha se ende nuk ka një datë të caktuar për heqjen e masave, ndërsa potencoi se situata varet nga vendimet dhe dinamikat e brendshme politike brenda Bashkimit Evropian.
“Deeskalimi në veri ka ndodhur, ne urojmë të mos ndodh rieskalimi, ka pasur përpjekje për rieskalim. Këto granatat e dorës që hidhen, herë në stacionin e policisë, e herë në ndërtesë të komunës, ose përpjkeja për ta hedhur komplet në erë kanalin e Ibër Lepencit, janë përpjekje për rieskalim. Mirëpo të gjithë e dinë që Qeveria e Kosovës nuk është përgjegjëse për këtë, madje edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell dërgoi një raport të 27-shes evropiane, ku ju tha atyre hiqni masat për Kosovën”, u shpreh Kurti.
“Mirëpo janë disa dinamika të brendshme në Bashkimin Evropian për të cilat fatkeqësisht po e pëson Kosova”.