Kurti përkujton masakrën e 27 marsit në Pejë: “Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë”

Në përkujtim të 40-të të vrarëve nga forcat serbe në lagjen “Dardania” në Pejë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te pllaka përkujtimore për masakrën e 27 marsit 1999.
“Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjate dhe për siguri për të gjithë, e për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale”, tha Kurti.

Ai shtoi se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, ndërkaq Prokuroria e Kosovës, Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë, në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen, të nxjerrën para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat, kur dihet që viktima nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit, por edhe familjet e tyre, farefisi i tyre dhe mbarë shoqëria jonë.
Bashkë me Kryeministrin, homazhe bënë edhe Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila dhe Fatmire Kollçaku.