Kurti: Propozova që Kosova dhe Serbia të zotohen që s’do ta sulmojmë njëra-tjetrën

410

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel ka propozuar që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë deklaratë të paqes që këto dy shtete nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.

Ai e cilësoi takimin me presidentin serb, të ndërmjetësuar nga kryediplomati evropian Josep Borrell dhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, konstruktiv nga pala kosovare.

Kurti, në një deklaratë për mediat pas takimit, ka treguar edhe katër propozimet që i ka bërë sot në takimin e nivelit të lartë në Bruksel.

“Ne do të marrim pjesë në këtë proces i cili është i vështirë. Përderisa pala tjetër fliste për ide të vjetra, ne dhamë katër propozime të reja. Propozimi i parë ishte që ta avancojmë Marrëveshjen CEFTA në Marrëveshje SEFTA me ç’rast do ta përdornim modelin e shteteve si Islanda, Lihtenshajtni dhe Norvegjia e kanë me BE-në. Propozimi i dytë i yni ishte që një ditë pas samitit të NATO-s ku u dhanë porosi shumë të qarta dhe unanime Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë një deklaratë të paqes ku ne zotohemi si shtet që nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën”.

“Propozimi jonë tjetër ishte që te çështja e të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë, duhet të largohet nga delegacioni serb Veljko Odaloviq që ka qenë udhëheqës famëkeq në vitet 1997-1999 dhe bashkë me Zoran Angjelkoviq e kanë udhëhequr Kosovën e okupuar, siç e kanë quajtuar atëherë Qarkun e Kosovës. Propozimi i katërt ishte sa i përket çështjes së pakicave ishte reciprociteti bilateral që është parim i përgjithshëm, por në veçanti për serbët e Kosovës do të mund të kishim Këshill Nacional ashtu siç është në Serbi për shqiptarët dhe boshnjakët”.

Ai tha se për propozimin e parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan.

Kurti tha se janë të gatshëm për pjesëmarrje në proces, por shtoi se nuk ka ende dakordim sa i përket agjendës për dialogun e ardhshëm.

Comments