Kurti s’e ndëshkoi, populli po: Qysh e mbronte Rozeta Hajdarin për rezervat shtetërore

Ministrja e Industrisë, Ndëmrarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, rrezikon të mos bëhet deputete, edhe pse Lëvizja Vetëvendosje i kishte dhënë një numër goxha lartë në listën e tyre për zgjedhjet e nëntë shkurtit. Anise kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk e ndëshkoi për skandalin e rezervave shtetërore, një gjë të tillë e bëri elektorati, duke i dhënë vetëm rreth 14 mijë e 300 vota.
Kurti, jo vetëm që nuk e kishte ndëshkuar, por e kishte mbrojtur ministren në detyrë pasi Nacionale kishte publikuar audio-incizime që dëshmonin skandalin me rezervat shtetërore.
Madje ai kishte xhiruar një video, të cilën më pas do ta publikonte në Facebook, e ku mes tjerash deklarohej se “i beson plotësisht ministres Hajdari”.
“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin” – thoshte Kurti.
Derisa Rozeta Hajdari u ndëshkua me një numër të vogël të votave, që ia rrezikon ulësen në Kuvendin e Kosovës, Kurtit po i kërkohet të dëshmojë në Prokurorinë Speciale, e cila po e heton skandalin, transmeton Nacionale.
Gjykata Themelore në Prishtinë para pak ditësh konfirmoi se kanë pranuar kërkesë nga Prokuroria Speciale, lidhur me refuzimin e Kurtit për intervistim.
Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që Kurti të urdhërohet për të shkuar për të dëshmuar. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata” – tha ajo.
Skandali me rezervat shtetërore

Nacionale kishte publikuar audio-incizime të cilat dëshmonin për një skandal të madh në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
MINT kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, megjithatë një sasi e madhe e tyre nuk kishte arritur. Fjala ishte për miell, sheqer e vaj.
I përfshirë këtu ishte edhe njeriu i afërt i Kurtit, pronari i restaurantit “Bukë e Zemër”, Ridvan Muharremi.
Në audio-incizime, zyrtarët e MINT-it e konfirmonin se malli nuk kishte ardhur, dhe vlera ishte mijëra euro.
Pas publikimeve të Nacionales, Prokuroria Speciale kishte ndërmarrë aksion duke arrestuar tre persona.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L.
“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.” – thuhej ndër të tjera në njoftim.
Pasi të tre personave i ishte caktuar paraburgimi, Gjykata e Apelit e anuloi vendimin dhe i la në liri personat e arrestuar.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte mohuar akuzat, duke e akuzuar Nacionalen për shpifje.