Kryeministri Albin Kurti nuk ka treguar nëse do t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë Speciale të cilët e kanë ftuar në cilësinë e dëshmitarit.
Pasi mori pjesë në lansimin e projektit të “Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve” të enjten, Kurti u pyet nga gazetarët për ftesën e Prokurorisë Speciale.
Por shefi i Qeverisë nuk u përgjigj, duke thënë se është me nxitim për disa takime të tjera.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, të mërkurën bëri të ditur se Prokuroria Speciale e ka ftuar Kurtin për intervistim në cilësinë e dëshmitarit.
Sipas ftesës, Kurti është thirrur të pyetet më 16 dhjetor nga ora 09:30. Por nuk dihet se për cilën çështje.
KOHA e ka pyetur Prokurorinë Speciale e Qeverinë për më shumë detaje, por nuk ka marrë përgjigje.