Zbatimi i marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit, si dhe rritja e bashkëpunimit tregtar mes Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës, kanë qenë tema të diskutimit në takimet që kryeministri Albin Kurti, i zhvilloi gjatë vizitës në Sarajevë me dy anëtarët e presidencës trepalëshe të këtij shteti. E këto takime nxitën reagime nga përfaqësues të entitetit serb dhe zyrtarë në Beograd, që paralajmëruan për pasoja në marrëdhëniet mes Bosnjë-Hercegovinës e Serbisë.
Kryeministri Albin Kurti ka takuar të premten dy anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës, me rastin e vizitës së tij zyrtare në Sarajevë.
Vizita nxiti reagimet e përfaqësuesve të Republikës Sërpska dhe të zyrtarëve në Serbi, pasi Kurti zhvilloi takime të ndara me anëtarin kroat të presidencës, Zhelko Komshiq dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviq, porse jo edhe me atë serbe, Zhelka Cijanoviq.
Gjatë takimeve, në zyrën e kryeministrit njoftuan se u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mënyrat e rritjes së bashkëpunimit tregtar.
“Kryeministri theksoi se njoftimi i Qeverisës së Republikës së Kosovës, sipas së cilit nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pra më pak se një muaj, qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës do të mund të udhëtojnë drejt Kosovës me letërnjoftime, do të kontribuojë shumë në rritjen e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu, theksoi rëndësinë që edhe Bosnjë-Hercegovina ta ratifikojë marrëveshjen e mobilitetit për lëvizje të lirë e dalë nga Procesi i Berlinit, në mënyrë që përfitimet nga lëvizja e lirë të jenë të dyanshme”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
E pas reagimeve për takimet me Kurtin, anëtari boshnjak i presidencës, u shpreh se disa politikanë nga Republika Sërpska duhet ta ndalojnë “propagandën e stilit të Joseph Goebbelsit” sa i përket ndërveprimit me Kosovën.
“Sot nuk diskutohet për njohjen e Kosovës, sepse të gjithëve u është bërë e qartë se për një vendim të tillë nevojitet konsensus në Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës. Njerëzit e përgjegjshëm gjithmonë duhet të këmbëngulin në respektimin e parimeve të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por edhe në biseda konstruktive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Procesin e Berlinit. Askush nuk do të lejohet të mendojë se mund t’i disiplinojë udhëheqësit e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe të përcaktojë me kë, ku dhe kur mund të bisedojnë. Kjo është diçka që duhet ta harrojnë përgjithmonë”, ka thënë Denis Beqiroviq.
Lideri i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, e cilësoi provokim dhe shkelje të Kushtetutës pritjen që dy anëtarët e presidencës ia bënë Kurtit. Sipas tij, takimet me Kurtin, të cilin e quajti kryeministër të “vetëshpallur” të Kosovës, përbëjnë abuzim klasik e akt të papërshtatshëm.
“Në Sarajevë gabojnë rëndë nëse mendojnë se gjithçka do të përfundojë vetëm me deklarata. Ata e injorojnë Kushtetutën. Komshiq dhe Beqiroviq përdorën të gjitha kapacitetet e tyre për t’i dhënë rëndësi Kurtit. Marrëdhëniet janë edhe më të komplikuara”, ka thënë Dodik.
Reagim pati edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, që vizitën e Kurtit e kualifikoi shkelje kushtetuese dhe paralajmëroi se takimet me të i minojnë themelet e marrëdhënieve Serbi-Bosnjë-Hercegovinë.
“Vendimi i anëtarëve të kryesisë, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, për të pranuar Albin Kurtin si përfaqësues të të ashtuquajturit shtet “Kosova” në kundërshtim me organizimin e brendshëm të BeH, përbën shkelje në karakterin dhe natyrën e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Serbisë dhe BeH-së. Kjo është thellësisht kundër parimeve të fqinjësisë së mirë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet Serbisë dhe BeH-së si dhe minon themelet e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, ka thënë Gjuriq.
Kurti udhëtoi në Sarajevë me zëvendësen e tij, Emilja Rexhepi dhe me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, teksa vendosi kurora lulesh në kujtim të 1,601 fëmijëve të vrarë nga forcat serbe gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1992-1996.