Kusari-Lila flet sikur të kishte hyrë në politikë në vitin 2021, godet ish-qeveritë në mbledhjen e VV-së

68

Kryetarja e partisë “Alternativa”, Mimoza Kusari-Lila, e cila është kryetare e Grupit Parlamentar të LVV-së në Kuvendin e Kosovës, ka folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së që është mbajtur sot në Prishtinë.

Kusari-Lila ka folur për fitoren që ka korrur Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit duke goditur ish-qeveritë e kaluara për qeverisjen e vendit.

“A mendoni se ata që ishin më parë, e që e kanë marrë përgjigjen brutale nga qytetarët e Republikës munden me i realizu këto kërkesa. Nuk ka funksionu ai modeli i klientelizmit, i rregullimit të një punësimi familjar, i rregullimit të një tenderi për grupe të interesit, nuk ka funksionuar. Njëra 17 %, njëra 11 %, njëra 18 %, pastaj një zbrastirë e madhe deri në 51 %”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka drejtuar edhe pyetje ndaj ish-qeverive duke iu thënë se a janë “divorcuar nga ajo politikë”

“Një përgjigje e dua. A jeni divorcuar ju nga ajo mendësi që qytetarët thanë se nuk e duan”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka bashkëpunuar pothuajse me të gjitha partitë që kanë qeverisur me Kosovën në të kaluarën. Në vitin 2009 kishte qenë kandidate për kryetare të Gjakovës në kuadër të AKR-së së Behgjet Pacollit.

Pasi kishte humbur këto zgjedhje lokale, ajo ishte zgjedhur zëvendëskryeministre dhe ministre në Qeverinë e Hashim Thaçit në vitin 2011. Pas dy viteve, Kusari-Lila kishte vendosur që të rikthehet përsëri në garën për Gjakovën, duke u bërë kështu kryetare në vitin 2013.

Pasi kishte përfunduar një mandat si kryetare e Gjakovës, Kusari-Lila kishte arritur që të bëhej deputete e Kuvendit të Kosovës në kuadër të koalicionit me LDK-në, që atë kohë drejtohej nga Isa Mustafa.

Comments