Kuvendi me 88 vota miratoi Ligjin për riorganizimin e ministrive
Me 88 vota “pro”, 22 “kundër” dhe asnjë “abstenim”, Kuvendi miratoi Ligjin për riorganizimin e organeve të administratës shtetërore, gjegjësisht të ministrive.
Propozues i ligjit ishte kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili është edhe mandatar për përbërjen e qeverisë së re, përcjell INA.
Deri në orën 02:30 të mëngjesit ka zgjatur debati për miratimin e ligjit me të cilin Qeveria do të ketë 20 ministri në vend të 16 ministrive të mëparshme.
Propozimi u kritikua ashpër nga deputetët e LSDM-së dhe të Majtës.
Deputeti dhe kryetar i LSDM-së në dorëheqje, Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij tha se Ligji nuk është sjellë për të rritur efikasitetin e organeve të administratës shtetërore, por për shkak të pazareve politike.
Amar Mecinoviq nga Levica theksoi se ekspertët dhe akademikët nuk janë të përfshirë në ndryshimin e një ligji të tillë sistemik.
Koalicioni i udhëhequr nga BDI shprehu mbështetjen për projektligjin.
“Propozimi i mandatarit Mickoski është bartje e kompetencës nga një institucion në tjetrin dhe mund të ketë logjikë për efikasitet. Por ne e vlerësojmë që një ndërhyrje e tillë duhet të konsiderohet seriozisht, por këtë do t’ia lëmë kohës nëse do të arrihet një efikasitet i tillë”, tha koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Blerim Bexheti. Ky propozim-ligj nuk u votua nga deputetët e ASH si pjesë e Frontit Evropian.(INA)