Deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se konstituimi i Kuvendit do të bëhet të enjten me tre gusht.
Lekaj tha se koalicioni PAN i ka siguruar numrat e mjaftueshëm për formimin e qeverisë.
“Parlamenti i Kosovës do të konstituohet me tre gusht ku do të zgjidhen kryetarët dhe nënkryetarët, është procedurë e cila duhet të bëhet e cila lë hapësirë pastaj për krijimin e Qeverisë. Ne e kemi thënë që nuk ka vonesa e kemi thënë se që në kohën më shpejt të mundshme të formohet qeveria dhe ajo ku jemi tek numrat e që me vjen keq që i kemi shndërruar deputetët në numra por unë them që kemi mbështetjen e deputetëve të parlamentit të Kosovës që e kanë marrë besimin e qytetarëve dhe janë të mjaftueshëm për krijimin e institucioneve të Kosovës”, u shpreh Lekaj, raporton EkonomiaOnline, transmeton Klan Kosova.
Kurse sa i përket votimit të Kuvendit dhe Qeverisë në të njëjtën ditë Lekaj ka thënë se do ti respektojnë ligjet në këtë aspekt dhe se qeveria mund të votohet pak ditë pas konstituimit të Kuvendit.
“Sa i përket votimit të Qeverisë së Kosovës ne mendojmë që ne do t’i kemi parasysh ligjet e Kosovës, rregulloret e Kuvendit dhe në kohën më të shkurtë të mundshme do të formohen, por kjo nuk do të thotë që atë ditë por do të mundohemi që së shpejti kur them nuk do të vonohemi janë në pyetje një ose dy ditë për formimin e qeverisë së Kosovës”, sqaroi Lekaj.