Prokurorët e Posaçëm do të marrin dëshminë e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, i cili dyshohet për korrupsion në zgjedhje, tregtim të sekretit shtetëror e përkrahje të autorit të krimit.
Ish-deputeti i arrestuar, pritet të japë shpjegime të premten në orën 11.00 në praninë e avokatit mbrojtës dhe më pas prokurorët e posaçëm do thërrasin dhe marrin në pyetje të gjithë personat të cilët kanë dalë nga komunikimet e Jurgis Çyrbjas dhe personave të tjerë të identifikuar deri më tani. Ai do të japë shpjegime se kush e propozoi emrin e tij për deputet dhe në ç’mënyrë i siguroi dokumentet sekrete që ua shpërndante njerëzve të krimit.
Çyrbja ndërkohë është marrë i pandehur po nga SPAK për ”shpërdorim detyre” lidhur me 4 praktikë pronash gjatë kohës që drejtonte hipotekën e Durrësit. Të pandehur për këtë çështje janë marrë edhe ish-kryetari i komunës Rrashbull, Hysen Gashi, si dhe ish-zyrtarët Ervis Mustafa, Qamil Lila, Edlira Çollaku dhe Elda Doçi. /Balkan Web/