Lidhjet e ngushta të Kurtit me energjinë elektrike – skema
Lidhjet e tregtarëve të energjisë elektrike mbërrijnë deri në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Fisnik Korenica, këshilltar i jashtëm të kryeministrit Albin Kurti është implikuar në tregun e energjisë, tregon një hulumtim i Paparacit. Korenica, një profesor universitar dhe tregtar i energjisë elektrike, është përmendur edhe si “mik i Nagip Krasniqit” gjatë dëshmisë së ish-kryeshefit të KEK-ut në Prokurori.
Kryeministri Albin Kurti është i rrethuar me njerëz që kanë lidhje të forta me tregtarë të energjisë elektrike.
Skema e lidhjeve të tregtarëve të energjisë çon deri te Zyra e Kryeministrit.
Pas Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqit, të dy të implikuar në skandalet e tregtimit të energjisë, edhe një këshilltar i Kurtit figuron i afërt me tregun, apo tregtarë të energjisë të licencuar në Kosovë.
Fisnik Korenica, një profesor universitar, tash për tash i angazhuar si këshilltarë të jashtëm të kryeministrit, rezulton të ketë lidhje të forta me energjinë.
Ai është i angazhuar si këshilltar të kryeministrit për dialogun me Serbinë nga Grupi për Studime të Politikave Ballkanike (BPRG) në një projekt të Ambasadës së Norvegjisë.
Dosja e Nagip Krasniqit, ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të ngarkuar me dy aktakuza, e ka zbuluar implikimin e Korenicës në një rast të dyshuar korruptiv në KEK. Korenica është përmendur në dëshminë e Krasniqit para prokurorëve specialë në lidhje me angazhimin e avokatit Isuf Zejna si konsulent ligjor të KEK-ut.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Krasniqi ishte rekomanduar nga një mik i tij për angazhimin e studios ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, në bashkë-pronësi të avokatit Isuf Zejna.
Ky mik i ish-kryeshefit të KEK-ut është Fisnik Korenica, këshilltari i jashtëm i kryeministrit me të kaluar afariste në energji.
Përfshirja e thellë e Korenicës në tregun e energjisë është zbuluar nga formulari i deklarimit të pasurisë së bashkëshortes së tij, e cila punon si zëvendës-avokate e popullit.
Formularët e deklarimit të pasurisë së bashkëshortes së Korenicës për vitet 2023 dhe 2024, dëshmojnë se këshilltari i Kurtit ka qenë zotërues i 50 për qind të aksioneve në një kompani që merret me tregti dhe shpërndarje të energjisë elektrike deri në vitin 2024.
Në deklarimin e vitit 2023, bashkëshortja e tij deklaronte se data e regjistrimit të kompanisë së këshilltarit të Kurtit ishte 16 korriku i vitit 2021 dhe po atë ditë ishte edhe data e përfitimit të aksioneve.
Pas deklarimit të pasurisë nga bashkëshortja e Korenicës, kjo kompani i është bartur Bardhyl Hasanpapajt, një njeriu të afërt me presidenten Vjosa Osmani, i cili zotëron 100 për qind të kapitalit. Osmani, sa ishte drejtuese e Partisë Guxo, i kishte zyrat partiake në një pronë të Hasanpapajt.
Përfaqësues i autorizuar i këtij biznesi është Ardian Kaçaniku që mban pozitën e drejtori menaxhues, thuhet në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.
Aktualisht, Fisnik Korenica, që njihet si intelektual dhe aktivist i shoqërisë civile, figuron të jetë pronar i një kompanie tjetër që merret me shërbime të konsulencës të organizatave publike dhe private. Ai është edhe themelues i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), bashkë me Dren Dolin, aktualisht ambasador i Kosovës në Holandë, i emëruar në shërbimin diplomatik gjatë qeverisjes së Kurtit.
Në librat e shit-blerjeve të KEK-ut, të cilat ishin pjesë e aktakuzës së parë ndaj Nagip Krasniqit, del se KEK-u ka realizuar pazare me një kompani të një oligarku nga Tirana, Gentian Sula.
“Noa Energy Trade” Sh.P.K. dhe “Noa Energy Trade – Dega në Kosovë”, dy kompanitë e Sulës, janë në mesin e tetë kompanive me të cilat KEK-u tregtonte energji gjatë udhëheqjes së Krasniqit.
Aktakuza ndaj Krasniqit dëshmon edhe për një transaksion të shit-blerjes së energjisë të realizuar mes “Noa Energy Trade” dhe KEK-ut.
“Nga Fatura e shitjes date 10.0L2022, numer 12/2022, Ieshuar nga shitesi ‘NOA energy trade’, per KEK, vertetohet se ky tregtare ka te kalkuluar edhe TVSH-n”, thuhet në një pjesë të aktakuzës.
Tregti me KEK-un ka realizuar edhe dega e kompanisë sllovene “Gen d.o.o.” në Beograd.
Kjo kompani është e lidhur ngushtë me Martin Berishajn, ambasadorin e Kosovës në Kroaci, të implikuar në skandalin më të madh të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
Ambasadori Berishaj, siç ka raportuar Paparaci rreth dy vite më parë, po hetohet për dyshimet e kryerjes së tri veprave penale: shpëlarjes së parave, shmangies nga tatimi dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Bazuar në një hulumtim të Paparacit, kompania e ambasadorit Berishaj në Kosovë ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.
Të gjitha të dhënat për këto transaksione i posedon Paparaci.
Rreth 900 mijë euro që kompania e tij “MB Consulting” i kishte shënuar si të hyra nga “GEN doo” – dega në Beograd, Martin Berishaj i kishte tërhequr personalisht përmes xhirollogarisë së tij bankare mes viteve 2016-2021.
Një raport i një task-force hetuese zbuloi se Berishaj nëpërmjet kompanisë së tij, “MB Consulting”, me filial në Mal të Zi ka bërë transaksione të dyshimta me elemente të shumta të shpëlarjes së parave.
Veprimtaria e biznesit “MB Consulting” të ambasadorit Martin Berishaj, po ashtu dyshohet se është kryer duke iu shmangur tatimeve në Kosovë për pesë vite me radhë. /Paparaci.com
Shënim i redaksisë: Në këtë artikull të publikuar me datë 03.01.2024 në orën 13:53 është përvjedhur një gabim. Gentian Sula, pronar i kompanisë “Noa Energy Trade” Sh.P.K është ngatërruar pa dashje me afaristin Gentijan Sulo, pronar i kompanisë “Stella Consulting” Sh.P.K. Paparaci i kërkon falje lexuesve të tij dhe të apostrofuarve.