Lura, aty ku myslimanë dhe të krishterë kremtojnë bashkë festat e besimit (Video)
Nga Tirana, duhet rreth 4 orë për të prekur një nga zonat më të bukura në Shqipëri.
Investimet kanë munguar, vetëm në mënyrë sporadike ata që e njohin mirë zonën janë rikthyer për të bërë investimet e tyre.
Vlerat natyrore, bimësia janë dëtmuar por pasurinë e religjionit përmes harmonisë fetare nuk e ka zhbërë njeri.
Në këtë park kombëtar prej 1300 hektarësh, rrethuar nga malet me lartësi 1700-2000 metra, janë rreth 300 shtëpi, disa fshatra.
Familje të cilat kanë vendosur të mos braktisin shtëpitë e tyre pavarësisht izolimit që të shkakton mungesa e rrugës.
Pak e dinë që Lura përveç kësaj panorame natyrore, mbart edhe vlera fetare.
Lura është shembulli i një vendi si Shqipëria dhe jo vetëm, ku komuniteti përmes besimit jeton në paqe duke respektuar ritualet e secilit dhe festat e secilit.
Në xhaminë e fshatit ku kryhet rituali i familjes së myslimanëve që përbën edhe shumicën e besimit në këtë zonë, katolikë dhe drejtues të këtij komuniteti marrin pjesë në lutje, si dëgjues.
E njëjta gjë ndodh edhe në rastet e meshave dhe Krishtlindjeve. Në to dhe në tryezat e familjeve të krishtera, ftohen dhe marrin pjesë edhe myslimanët.
Shkëmbimet më të bukura fetare janë edhe përmes lidhjeve të kurorave; martesave mes tyre. /Oranews/