Lushtaku: S’nevojitet sabotimi nga Vuçiqi e Putini, Kosovën po e fut në terr vet qeveria e Kurtit
Deputeti nga radhët e PDK-së, Mergim Lushtaku, duke ironizuar me videon e një gjeneratori që mban fotografinë e kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se vendi është duke kaluar një krizë energjetike të paparë.
Duke pyetur se përse ka mbingarkesë, Lushtaku u shpreh:
“E thjeshtë: sepse kjo qeveri ka subvencionuar mbi 15 mijë familje për të kaluar në ngrohje me energji elektrike përmes pompave termike, kondicionerëve dhe pajisjeve të tjera, duke zëvendësuar ngrohjen tradicionale me dru, pelet, briket dhe thëngjill. Kjo është bërë pa investuar asnjë burim të ri energjetik! Asnjë përmirësim në kapacitetet e KEK-ut të vjetër dhe as ndonjë investim në centrale të reja, si p.sh., mundësia për centralet me gaz amerikan”.
Ai tha se politikat e Kurtit nuk kanë investuar në burime të reja energjetike por vetëm në rritjen e konsumit.
“Nuk ka nevojë për sabotim nga Vuçiqi apo Putini, sepse Kosovën në terr po e fut vetë qeveria e Kurtit. Këto politika të papërgjegjshme janë pasqyrë e një mendësie të paaftë, që po dëmton ekonominë dhe jetën e qytetarëve në mënyrë të pakthyeshme”, shtoi Lushtaku.