“Ma ngacmonte gruan”, fqinji tregon pse e vrau 81-vjeçarin në Shqipëri

180

Isuf Hasa, autori i vrasjes së 81 vjeçarit në Zall-Herr të Tiranës ka shpjeguar në polici motivet që e shtynë ti merrte jetën fqinjit të tij. Para agjentëve të policisë, ai ka treguar se kishte shkuar në shtëpinë e Xhemal Metës ku kishin pirë kafe dhe më pas kishin debatuar.

“Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte”, ka rrëfyer Hasa.

Më tej ai zbulon një tjetër arsye pse e çoi drejt vrasjes së fqinjit, duke pretenduar se Xhemal Meta i ngacmonte edhe bashkëshorten, shkruan A2.

“Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte: “Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas”. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte sepse mi kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë.”

Burime nga policia tregojnë se Isuf Hasa është shoqëruar edhe pas ngjarjes dhe është lënë i lirë qëllimisht nga policia, ndërsa fillimisht mohonte të kishte lidhje me ngjarjen.

Por më pas, nëpërmjet edhe provave të siguruara, agjentët shkuan për ta arrestuar. Këtë herë, ai u prangos në shtëpinë e tij, në Zall-Bastar.

Comments