Maqedonci thotë se letra drejtuar KFOR-it nuk është rizotim, por sqarim
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se qëllimi i letrës së Qeverisë drejtuar KFOR-it me zotimin se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk vendoset në veri pa autorizim paraprak të misionit të NATO-s, ka qenë më shumë një sqarim sesa rizotim.
Sipas tij, ky sqarim është bërë për të qartësuar se një njësi e FSK-së është angazhuar në një prej komunave veriore dhe se ky veprim nuk ka pasur qëllim tensionimin e situatës.
Maqedonci në një përgjigje për mediat ka thënë se zotimi në letër sa i përket atij ka qenë që me komandantin e KFOR-it ta sigurojnë njëri-tjetrin për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme që angazhimi ushtarak të bëhet në mënyrë të koordinuar.
“Qëllimi i letrës ka qenë që të sqaroj Komandantin e KFOR që një angazhim i një njësie të FSK në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës nuk ka pas qëllim tensionimin e situatës. Në letër kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe si gjithnjë që e kam thënë publikisht në media, kam ritheksuar që institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK në operacione në veri pas koordinimit paraprak me Komandantin e KFOR”, ka thënë Maqedonci.
Ministri ka thënë se letra e Qeverisë nuk është rizotim, por vetëm sqarim se po respektohet zotimi i vitit 2013.
“Pra, nuk bëhet fjalë për rizotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s. Pra ne po vazhdojmë të respektojmë zotimin e vitit 2013 të ish-kryeministrit, pavarësisht që vlerësojmë që ai zotim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë”.