Ministria e Stoilkoviqit/ “Kosova dhe Metohia” nga gushti 2024 në ueb-faqen e ministrisë dhe Qeverisë!
Zv/Kryeministri dhe Ministri për marrëdhënie midis bashkësive, Ivan Stoilkoviq, në Beograd, kishte vizituar kampin e ashtuquajtur të fëmijëve “Serbia të thërret” ku kishin marrë pjesë edhe rreth 50-të fëmijë nga Maqedonia e Veriut.
Ngjarja ka ndodhur gjatë periudhës nga 1 deri më 11 gusht të vitit të kaluar, kurse në përshkrimin e ngjarjes, në ueb faqen zyrtare të kësaj Ministrie, ende qëndron ky tekst;
“Pjesë e kampit që tërësisht është pa pagesë e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç, janë edhe fëmijtë nga Kosova dhe Metohia…”
Të rikujtojmë se më 09 Tetor 2008 Maqedonia njohu pavarësinë e Kosovës kurse ky veprim I Ministrit Stoilkoviq është edhe në kundërshtim me zotimet e dy Kryeministrave Mickoski – Kurti gjatë mbledhjes së përbashkët qeveritare Kosovë – Maqedoni e Veriut në Nëntor të vitit të kaluar.
Kryeministri Mickoski, në press-konferemcën e përbashkët me Kurtin në Prishtinë, mes tjerash u përgjigjë edhe në pyetjet lidhur me mungesën e Stoilkoviqit nga delegacioni qeveritar I Maqedonisë, I cili në Kosovë kishte udhëtuar thuajse në përbërje të plotë.
Sipas Mickoskit, edhe pse kishte patur shumë dëshirë të jetë I pranishëm në Prishtinë, mungesa e Stolikoviqit kishte qenë e arsyeshme.
Por, duke komentuar qëndrimet e tij për shtetësinë e Kosovës dhe nëse ka biseduar me të për këtë cështje, Kryeministri Mickoski dha këtë përgjigje.
“Mendoj se si shtet dhe si qeveri shumë më herët kemi treguar se cfarë është Kosova, ndër të parët në botë. Nuk duhet të lejojmë që kjo temë të keqpërdoret. Nëse vazhdimisht dikush përpiqet që kjo të përsëritet, mendoj se do ta humbim thelbin. Mendoj se kjo që ndodh sot dhe paraprakisht në Shkup, në vet fillimet e pavarësisë së Kosovës dhe atë që bëri qeveria maqedonase ndër të parët në botë, është treguesi I qartë për qëndrimin tonë” – tha Mickoski.
Dy Kryeministrat Kurti dhe Mickoski gjatë press-konferencës thanë se Prishtina dhe Shkupi nuk besojnë se dallimet etnike, pa u nxitur nga qarqe të caktuara politike, mund të sjellin tensione të reja në Ballkan.
Kur jemi te qarqet e caktuara politike, vlen të përmendet protesta e së shtunës para Ambasadës serbe në Shkup, në mbështetje të Presidentit serb mbase kjo si kundërpërgjigje të protestës së studentëve të Shkupit në mbështetje të kolegëve të tyre nga Beogradi. /tvklan.mk/