Ministrja e Drejtësisë në Ditën e Veteranëve të UÇK-së: “Haradinaj i lidhur me Serbinë”

148

Në Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i konstatoi lidhje “me Serbinë” Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt – njërit edhe nga komandantët të UÇK-së.

Haxhiu e futi Serbinë në ekuacion në lidhje me deklarimet politike të Ramush Haradinajt, i cili Kurtin e quan “njeri të Serbisë” në rrafshin e veprimeve të përkthyera “në dobi politike të Serbisë” nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Haradinaj i qëndron kësaj teze në kuptim deduktiv – jo faktik – prej plasaritjes së marrëdhënieve me ShBA-në, që është garantuesja kryesore e sigurisë së vendit si dhe avokuesi primar i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, sanksionimit të vendit nga BE-ja dhe ShBA-ja, e deri te qasja konfrontuese me Misionin Paqembajtës në NATO-s në vend.

Por, Haxhiu i përshkroi Haradinajt lidhje në kuptimin faktik “me Serbinë” – e jo deduktiv – duke thënë se Prokuroria nuk e fton Haradinajn për ta përballur me këto akuza ndaj Kurtit.

“Ku ka qenë kryeprokurori Isufaj kur Ramush Haradinaj thotë se ‘kryeministri Kurti është i lidhur me Serbinë’? A e kanë ftuar Haradinajn për këtë deklaratë?”

“Është një deklaratë e rëndë, pasi po akuzon një kryeministër. Sigurisht që jo, sepse dalin lidhjet e Ramushit me Serbinë dhe me terroristët që e prisnin në zyrë, siç është Milan Radojiçiç”, tha Haxhiu para gazetarëve.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i reagoi ashpër Haxhiut, duke i quajtur “shpifje të ulët” derisa i bën thirrje “të merret me shefin e vet”.

“Veç Kosova e ka një ministre të drejtësisë që i fut hundët gjithkund. Nuk ka vend tjetër ku ministri i drejtësisë e sulmon systemin gjyqësor të shtetit të vet. Ajo, sa ishte në opozitë, ka qenë sinonim i personit që ka shkelur ligjet e vendit e s’ka lënë gjyqtar apo prokuror pa e sulmuar. Dhe prandaj është emëruar ministre e drejtësisë që misionin e partisë së vet e që është shkatërrimi i sistemit të drejtësisë, ta çojë deri në fund”.

Nga AAK i quajtën “kopalla” akuzat e Haxhiut, ndërsa i bën thirrje kësaj të fundes të merren me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, rast të cilin Vetëvendosja e paraqet si vrasje në burg – e që, për më tepër, e kanë pasur zotim zbardhjen e këtij pretendimi.

“Sa merret me kopalla, ajo është mirë të japë përgjigje se çka ndodhi me rastin Dehari, si u zhduken e si u gjetën mostrat. Cka ndodhi me gjuajtjen e Kuvendit me Zollë nga bashkëpartiakët e saj. Si u përfshinë matrapazët ordinerë në aferën e vjedhjes së miellit e vajit. Le të merret me Martin Berishaj e Nagip Krasniqin e të mos i marrë në mbrojtje”, thanë nga AAK.

“Më në fund ajo duhet t’i tregojë popullit të Kosovës, se pse Kryetari i Partisë së saj, sot Kryeministër, nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për t’u intervistuar, por e sfidon drejtësinë e Shtetit”, thanë ata.

“Ka shumë përgjigje që duhet të japë kjo ministre, përpara se të merret me propagandë të nivelit të ulët. Ramush Haradinaj ka qenë dhe mbetet hero e luftëtar kundër Serbisë e për lirinë e vendit të vet, të cilin sot e poshtërojnë njerëz si kjo minstre. Përpara se të shpifë për lidhjet e Ramush Haradinajt me Serbinë, le të merret me lidhjet e shefit të vet e me të shkuarën e tij, për të cilën kanë dalë edhe informata e që përflitet gjithandej”, përfundoi AAK.

Comments