Ibër-Pelenci, ndërmarrja publike për furnizim me ujë, e ka rifilluar punën për furnizimin e fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës të shtunën në orët e vona, një ditë pasi një kanal i saj në veri të vendit u dëmtua nga një shpërthim i cilësuar si “terrorist” nga autoritetet kosovare, njoftoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Në një postim në Facebook pak para mesnatës të shtunën, Rizvanolli tha se “24 orë pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, prurjet e ujit në KEK kanë arritur nivele optimale për furnizim me ujë të TC “Kosova B”.
Ajo tha se furnizimi me ujë për qytetarët e rajonit të Mitrovicës tashmë ka filluar dhe se gjatë orëve në vijim pritet të përmirësohet furnizimi edhe në komunat e prekura të rajonit të Prishtinës, përfshirë Fushë Kosovën, Drenasin dhe Obiliqin.
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Shpërthimi ndaj kanalit në Varragë të komunës së Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit që rrezikoi furnizimin me ujë dhe rrymë në një pjesë të madhe të vendit.
Autoritetet kosovare reaguan shpejt për t’i ndrequr dëmet pjesërisht, duke vendosur gjashtë gypa brenda kanalit për ta mundësuar vazhdimin e furnizimit më ujë nga ky kanal.
Paraprakisht të shtunën, Kompania e ujësjellësit e rajonit të Mitrovicës, KRU Mitrovica, njoftoi se kishte rifilluar furnizimin me ujë të pijshëm në mënyrë të kufizuar.
Banorë nga një pjesë e Mitrovicës së Jugut u ankuan se kishin mbetur pa furnizim me ujë nga ora 22:00 të premten, si pasojë e këtij sulmi për të cilin autoritetet kosovare e fajësojnë Serbinë.
KRU Mitrovica funksionin si ndërmarrje publike dhe i furnizon me ujë komunat si Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut pjesërisht, Zveçanin, Vushtrrinë dhe Skenderajn, sipas uebsjatit të kompanisë.
Në rrjetin e saj janë të kyçur mbi 100.000 banorë nga këto rajone.
Më herët gjatë mbrëmjes, ministrja Rizvanolli tha në Facebook se autoritetet në bashkëpunim me kompani rajonale për furnizim me ujë, kanë sjellë autobotë me ujë në disa komuna, për të ndihmuar në furnizimin e vendeve të prekura pas sulmit.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist” në Ibër-Lepenc, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare.
Autoritetet kosovare njoftuan të shtunën vonë se tetë të dyshuar janë arrestuar gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.
Sulmi u dënua nga bashkësia ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë që e cilësuan si “akt terrorist”./REL