Miratohet fletëvotimi për zgjedhjet, s’ndahen mjetet për partitë politike

74

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë sot disa vendime që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Njeri prej vendimeve ka qenë miratimi i dizajnit dhe përmbajtës se fletëvotimit për këto zgjedhje.

Në këtë fletëvotimin është përfshirë edhe Lista Serbe, certifikimi i secilës po kontestohet nga Lëvizja Vetëvendosje në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka treguar se nëse PZAP-ja apo Gjykata Supreme janë kundër certifikimi të subjektit politik serb, atëherë Lista Serbe do të largohet nga fletëvotimi.

Në mbledhje të KQZ-së ai ka treguar se miratimi i fletëvotimit u pa i domosdoshëm për shkak se nesër, më 9 janar, fillon votimi jashtë vendit për votuesit e regjistruar për votim me postë.

Mosndarja e mjeteve financiare për partitë
Lista Serbe është bërë sebep që në mbledhjen e stome të mos merret vendimi për ndarjen mjeteve financiare nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike parlamentare për janar dhe shkurt 2025

Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja nuk ka arritur që të marrë vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike parlamentare për periudhën dymujore, janar – shkurt 2025.

Rekomandimi i propozuar nga Zyra e Partive Politike nuk i ka marrë votat e anëtarëve të KQZ-së për shkak se anëtarët e opozitës në KQZ (PDK, LDK dhe AAK) nuk morën pjesë në votim.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala ka treguar shumen e mjeteve financiare që është rekomanduar të ndahet për partitë politike.

“Gjithsej 14 subjekte politike përfitojnë; zyra rekomandon KQZ-në që të bëjë ndarjen e buxhetit për dy muaj. Zyra ka analizuar edhe aktet tjera ligjore, ku shuma prej 10 përqind për grupet parlamentare rekomandohet të ndahet prej datës 1 janar deri më 9 janar. Lidhur me këtë, zyra rekomandon që mjetet të ndahen nga fondi. Sipas rekomandimit, subjektet politike që do të përfitonin janë: Lëvizja Vetëvendosje – 353,898.31 euro, PDK – 115,932.20 euro, LDK – 91,525.42 euro, SRPSKA LISTA – 54,915.25 euro, AAK – 48,813.56 euro, KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ – 12,203.39 euro, etj.”, ka thënë Buzhala.

Anëtaret e VV-së në KQZ-së kanë kërkua që Listës Serbe të mos i ndahet shuma financiare që i takon, ndonëse vitin e kaluar e kishin përkrahur një gjë të tillë.

Anëtari i VV-së në KQZ-së, Alban Krasniqi, ka pasur disa kritika për rekomandimin në fjalë.

“Edhe pse mund të rekomandohet që Kuvendi nuk është aktiv në punën e tij, shuma e secilit subjekt duhet të jetë në përputhje me ligjin. Si shumë, nuk mendoj që zyra ka të drejtën të ndalë shumën për një subjekt. Totali i asaj shume i takon subjekteve politike; ky rekomandim apo miratimi duhet të jetë i veçantë për secilin subjekt politik dhe jo në përgjithësi”, ka thënë Krasniqi.

Kurse, zyrtari tjetër i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka kërkuar që shuma e rekomanduar të mos i ndahet.

“Jam kundër ndarjes së mjeteve të Listës Serbe, i kam dhënë argumentet e mia dhe vota ime është kundër ndarjes së mjeteve për këtë subjekt”, është shprehur ai.

Në këtë mbledhje janë marrë edhe disa vendime tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 9 shkurtit.

Comments