Molosët midis nesh…ende për pak!

760

Nga Klevi Mahilaj

Duke shpresuar që dikush të vërë dorën në zemër, qoftë sipërmarrës ose qoftë nga shteti, për të ndaluar zhdukjen e kësaj bukurie e pasurie të paçmuar që natyra na ka dhuruar, duhet të edukojmë gjeneratat e ardhshme për të respektuar e mirëmbajtur natyrën dhe faunën që na rrethon dhe që i shtojnë Shqipërisë vlera pafund.

Njohim vlerën e gjërave që na rrethojnë, vetëm atëherë kur i humbasë ato. Por sendet materiale edhe mund t’i riblejmë prapë, kjo nuk ndodh me dhuratat që natyra na ka bërë dhe të cilat gjëra nuk arrijmë t’i mirëmbajmë ashtu siç duhet. Këtë radhë bëhet fjalë për Molosin, raca e qenit më e vjetër në njollën e Mesdheut dhe Ballkanit. Dëshmitë për këtë mund t’i gjejmë kudo, nga shkrimet e vjetra, tek skulpturat e tek pikturat. Shokët besnikë të të parëve tanë, specie shtatlarta dhe muskuloze, që mbronin kopetë nga ujqërit dhe arinjtë, dhe shtëpitë e tyre, shumë herë përdoreshin edhe në luftë, duke qenë se struktura e tyre e mirëformuar dhe e prera shtatlart, trembnin armikun përpara sulmit.

Leka i Madh i mori me vete deri në Azinë e largët, më tej romaket i morën dhe i shpërndanë në të gjithë Evropën, nga brigjet e Kalabrisë, e deri në Skoci. Pirrua i përdori po ashtu në betejat kundër romakëve, dhe në batalionet e tij bënin pjesë dhe ata apostafat për qentë shtatlartë.

Molosët janë paraardhësit e të gjitha racave të qenve më me emër sot, disa shembuj janë: Cane Corso, Pastori gjerman, mastifi napoletan, mastifi sard, rottweiler, doberman, pastori belg, pitbull, boxer, bulldog, San bernardo, e shumë të tjerë.

Ndërsa e gjithë bota e njeh Molosin si paraardhësin e të gjitha racave të lartpërmendura, ne kemi fatin ta kemi atë në jug të Shqipërisë, dhe nuk ia dimë vlerën. Zanafilla e të gjithë qenëve më të njohur në botë rrjedh nga Molosi. Këtë nuk e themi ne shiptarët, por çdo libër që trajton kafshët. Fare mirë mund të shkruani dhe ne internet “Molossidi” dhe do të shikoni miliona rezultate që shpjegojnë dhe nënvizojnë preardhjen nga jugu i Shqipërisë.

Ndërkohë që bota është e mirinformuar mbi këtë, në Shqipëri ne po e zhdukim Molosin, duke preferuar qentë e lartpërmendur dhe më pas duke i lëshuar ata të lirë nëpër Shiqipëri, në rrezikun e kryqëzimit të racave dhe mosmbrojtjen nga ana e shtetit për qentë e rrugës, kontribuojmë kështu në zhdukjen e Molosit.

Por dikush ka reaguar, ka marrë përzemër këtë perlë të natyrës që kemi midis nesh, dhe po kërkon ta mbrojë atë. Shoqata kinologjike Molosi Ilir – Illyrian Molos kennel club nga Ploca (Amantia-Vlorë), po mundohet në radhë të parë të evidentojë ekzemplarët që më mirë kanë mbrojtur tiparet. Bëhet fjalë deri tani për një numër nga 25 deri me 30 Molosë që janë ende me tiparet e Molosëve të vjetër.

Në një nga fotografitë mund të shikoni Molosin e parë në Shqipëri me të zotin e tij, Murro, me pasaportë dhe certifikatë. Vështirësitë janë të shumta, pasi asnjë organ shteti ose privat, nuk vjen në ndihmë të kësaj shoqate që vullnetarisht, me pak mjete dhe mundësi që ka, po kërkon të mbrojë një pasuri të faunës që gjendet vetëm dhe Shqipëri.

Kërkesa e parë është ajo që Molosi të bëjë pjesë në një program shtetëror për mbrojtjen dhe konservimin e tyre. Ashtu si është rrëqebulli dhe disa specie të tjera në rrezik zhdukjeje, ashtu duhet të jetë edhe për këtë specie qeni, i cili është i vetmi në të gjithë botën, e tashmë ngelen më pak se 30 ekzemplarë.

Mbrojtja për Molosin me program shtetëror, siç ndodhi në Karavasta për Pelikanin Kaçurrel, duhet të jetë edhe në Vlorë e në të gjitha krahinat e jugut ku ndodhet Molosi, me saktësisht në kodrat e Beratit, malet e Korçës, Gjirokastrës, Tepelenës e gjithë Labëria e Mallakastra. Mosinteresimi i sipërmarrësve për të ndihmuar këtë shoqatë vullnetarësh, le shumë për të dëshiruar. Hapja e një mbarështimi për Molosin, duke mbledhur ekzemplarët që tashmë janë pikasur, do të ishte ideale për mbrojtjen e species.

Duke shpresuar që dikush të vërë dorën në zemër, qoftë sipërmarrës, ose qoftë nga shteti, për të ndaluar zhdukjen e kësaj bukurie e pasurie të paçmuar që natyra na ka dhuruar, duhet të edukojmë gjeneratat e ardhshme për të respektuar e mirëmbajtur natyrën dhe faunën që na rrethon dhe që i shtojnë Shqipërisë vlera pafund.

Comments