MOST me më shumë se 3.000 vëzhgues do t’i ndjekë zgjedhjet

132
fresco

midle

Asociacioni qytetar MOST me më shumë se 3.000 vëzhgues do t’i ndjekë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.  Prej tyre 2.664 do të jenë vëzhgues statikë dhe do të sistemohen në rreth 55 për qind të vendvotimeve, ndërsa do të ketë edhe 120 ekipe mobile me nga dy vëzhgues, si dhe 80 vëzhgues të cilët do ta ndjekin punën e Komisioneve Komunale  të Zgjedhjeve dhe të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

“Nga vëzhguesit e MOST-it 2.664 do të jenë statikë dhe gjatë ditës zgjedhore do ta ndjekin procesin e votimit në vendvotime,  do të ketë edhe 120 ekipe mobile, të përbërë me nga dy vëzhgues të cilët do të shërbejnë si përkrahje logjistike e vëzhguesve statikë dhe do t’i vëzhgojnë përkohësisht ato vendvotime  në të cilat MOST nuk ka vëzhgues statikë. Tetëdhjetë vëzhgues plotësues do ta vëzhgojnë punën e KSHZ-së”, tha Darko Aleksov nga MOST në konferencën e sotme për shtyp.

Ai theksoi se përveç votimit më 11 dhjetor MOST sot do ta vëzhgojë edhe votimin  e parakohshëm të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm, personave të shpërngulur brenda vendit dhe personave në burg dhe paraburgim, si dhe votimin  në 18 përfaqësi konsullare-diplomatike në Nju-Jork, Çikago, Detroit, Toronto, Melburn, Kopenhagë, Bruksel, Hagë, Paris, Berlin, Bon, Munih, Bernë, Vjenë, Romë, Venecia, Lubjanë dhe Beograd.

“Sot kishte vonesa të vogla në dorëzimin e materialeve për votim të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm. Votimi është në rrjedhë dhe përderisa ka parregullsi të vërejtura do ta njoftojmë opinionin gjatë ditës së sotme. Përderisa gjithçka shkon me rendin e duhur qëndrimet tona do t’i tregojmë nesër në ndonjërën nga konferencat për shtyp”, tha Aleksov.

Theksoi se vëzhguesit e MOST-it do të vishen me bluza të verdha me mëngë të gjata në të cilat në anën e përparme të majtë do të qëndrojë logoja e MOST-it dhe do të shkruhet “Monitoring 2016”, ndërsa autorizimet e MOST-it dhe akreditimet e KSHZ-së do të theksohen në vend të dukshëm.

“Shenjat e vëzhguesve këtë vit dallohen nga ato paraprake. Vëzhgues i MOST-it është vetëm ai qytetar i cili do të mbajë bluzë dhe autorizim nga MOST dhe KSHZ për këto zgjedhje”, tha Aleksov.

Gjatë ditës së nesërme Asociacioni do të mbajë katër konferenca për shtyp në orën 9, 11, 14 dhe 19 në të cilat do t’i tregojë të gjitha informatat e konfirmuara nga vëzhgimi  në ditën e zgjedhjeve, ndërsa pas përfundimit të votimit do të caktohet edhe pres-konferencë plotësuese në të cilën do të publikohen projeksionet e MOST-it nga rinumërimi paralel i votave (PRS).

“Sipas udhëzimit të ri të KSHZ-së u tregojmë votuesve se votohet vetëm me rrumbullaksim me stilograf me ngjyrë të kaltërt. Nëse ka çfarëdo lloj shenje tjetër ose ngjyrë, fleta do të llogaritet si e pavlerë”, sqaroi Aleksov.

Qytetarët, potencon, të cilët duan të paraqesin parregullsi eventuale ose të japin informata lidhur me procesin zgjedhor atë mund ta bëjnë përmes linjës telefonike falas 080 080 080 ose përmes ueb platformës interaktive neregularnosti.most.org.mk.

Comments