Mozambik, qindra të burgosur arratisen nga burgu mes protestave të dhunshme
Qindra të burgosur janë arratisur nga dy objekte korrektuese në kryeqytetin Maputo të Mozambikut, transmeton Anadolu.
Clemente Carlos, gazetar në vend, për Korporatën Transmetuese të Afrikës së Jugut (SABC) tha se ka pasur arratisje nga burgu nga dy institucione korrektuese, të dyja në lagjen Machava.
“Për sa i përket shifrave, ne ende nuk kemi arritur ta konfirmojmë, por me sa kam parë, janë rreth 150 që janë arratisur”, tha Carlos.
Ai tha se një nga të arratisurit, ende i prangosur, u pa në video pamje duke thënë se ata janë në mesin e protestuesve që marshuan kundër rezultateve të diskutueshme të zgjedhjeve në vendin afrikan.
Arratisja nga burgu vjen mes protestave të reja pas njoftimit të së hënës nga Gjykata Kushtetuese, e cila konfirmoi se Daniel Chapo i Frontit Çlirimtar të Mozambikut (Frelimo) në pushtet ka fituar zgjedhjet e diskutueshme të 9 tetorit.
Të paktën 21 persona u konfirmuan të vdekur gjatë dy ditëve të dhunës, të hënën dhe të martën, duke përfshirë sulmet në pika të karburantit, stacione të policisë dhe banka.
“Gjithsej 236 akte të rënda të dhunës janë raportuar në të gjithë vendin, të cilat deri më tani kanë rezultuar në 25 të plagosur dhe rreth 21 të vdekur”, u tha gazetarëve ministrin i brendshëm, Pascoal Ronda.
Sipas grupit ‘Plataforma Decide’, që monitoron procesin zgjedhor, vdekjet e fundit çuan numrin e të vdekurve në Mozambik në 151 që nga 21 tetori.
Mozambiku ka përjetuar protesta të dhunshme që nga fundi i muajit tetor, kur autoriteti elektoral shpalli fitues 47-vjeçarin Daniel Chapo me 71 për qind të votave, duke mundur udhëheqësin kryesor të opozitës, Venancio Mondlane, i cili grumbulloi 20 për qind të votave.
Sipas drejtorit të Qendrës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut në Mozambik, Adriano Nuvunga, më shumë se 2.500 të burgosur janë arratisur nga burgjet e sigurisë së lartë, përfshirë nga Burgu Qendror i Maputos.
“Ky incident tronditës ngre pyetje urgjente për gjendjen e sigurisë dhe sistemin e drejtësisë në Mozambik. Tani, më shumë se kurrë, është kritike për autoritetet, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtar që të bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë publike dhe për të adresuar sfidat sistematike që çuan në këtë situatë”, shkroi ai në platformën sociale X.
Qeveria e Mozambikut ende nuk është prononcuar në lidhje me arratisjen e supozuar nga burgu./aa