​Mungesa e rrymës, Haradinaj: Fajtori ka emër – Albin Kurti dhe mafia energjetike

81

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka akuzuar direkt kryeministrin Albin Kurti për problemet e fundit me energji elektrike në shumë zona të vendit në kohë dimri, duke thënë se krimi energjetik ka emër.

I pyetur në lidhje me mungesën e furnizimit me rrymë në një organizim në prag të Ditës së Veteranit, Haradinaj tha se Kurti ka penguar çdo investim në energji dhe është i lidhur direkt me shitblerjen e saj, andaj duhet të ftohet në prokurori.

“Argatin e Serbisë, Albin Kurti, ai është përgjegjësi, ai ka penguar çdo investim në energji ndër vite. Vonë është marrë vesh pse i ka penguar këto investime, për shkak se është direkt i lidhur me shitblerjen e energjisë në përfitimet e këtyre shitblerjeve dhe fatkeqësisht e kemi gjendjen si e kemi. Ai është dashur të thirret në Prokurori për dëmin që i bënë Kosovës, sepse në vend që Kosova të ketë energjinë e vet të lirë në ato centrale ku megavati ka pasur me qenë 80 euro, ky e blen deri në 100 euro pra, dy herë ua faturon qytetarëve, një herë blen nga buxheti, pastaj ia faturon edhe një herë me çmime të ngritura. Krimi energjetik ka emër, ai emër është Albin Kurti dhe mafia energjetike rreth tij”, tha Haradinaj.

Haradinaj shtoi se Qeveria Kurti gjatë këtyre katër vjetëve “ka ditur të mashtrojë qytetarët e vendit në mënyrë shumë të mirë”.

Gjatë ditëve të fundit shumë zona të vendit kanë mbetur në terr për orë të tëra. KOSTT dhe KEDS kanë raportuar për rritje enorme të konsumit me uljen e temperaturave deri në 1400 MW në orë dhe mbingarkesë në sistem, andaj është bërë thirrje për kursim. Ndërkohë nuk kanë munguar protestat e qytetarëve në shenjë pakënaqësie.

Comments