NATO i bën thirrje Kinës dhe Rusisë të respektojnë ligjin ndërkombëtar
Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s të hënën (14 qershor) kanë rënë dakord të rrisin mbrojtjen e tyre të përbashkët “kundër të gjitha kërcënimeve, nga të gjitha drejtimet”.
Kështu thuhet në deklaratën pas samitit të NATO-s të mbajtur në Bruksel me prezencën edhe të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Ne deklaratë thuhet se NATO-ja do të angazhohet për t’iu përshtatur çështjeve të sigurisë që burojnë nga ndryshimet klimatike.
Në lidhje me raportet me Rusinë, udhëheqësit e NATO-s thanë se nuk mund të ketë një kthesë në marrëdhëniet normale midis aleancës ushtarake perëndimore dhe Rusisë, derisa Moska të sillet në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
“Veprimet agresive të Rusisë përbëjnë një kërcënim për sigurinë euro-atlantike”, thanë udhëheqësit.
Ata kanë përmendur “rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve ushtarake ruse dhe aktivitetet provokuese, përfshirë ato pranë kufijve të vendeve anëtare të NATO-s”.
“NATO nuk kërkon konfrontim dhe nuk paraqet asnjë kërcënim për Rusinë”, thuhet në deklaratë.
Liderët e NATO-s gjithashtu i bënë thirrje Rusisë të heqë dorë nga përcaktimi si “vende jo miqësore” ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Çekisë.
Aleatët dënuan “fushatat e dezinformimit” të Moskës, “aktivitetet kibernetike” të dëmshme dhe ndërhyrjet në zgjedhje të vendeve anëtarëve të NATO-s.
Deklarata thotë se NATO-ja do t’i përgjigjej arsenalit bërthamor në rritje të Rusisë dhe i bëri thirrje Iranit të ndalojë të gjitha aktivitetet e raketave balistike.
Raportet me Kinën
Udhëheqësit e NATO-s vlerësojnë se sjellja gjithnjë e më agresive e Kinës paraqet “sfidë të vazhdueshme” për sistemin global të bazuar në rregulla, si dhe sigurinë euro-atlantike.
Shqetësimi i 30 krerëve të shteteve dhe qeverive ka të bëjë me “politikat” e Kinës, duke përmendur arsenalin bërthamor që sipas tyre po “zgjerohet me shpejtësi”, bashkëpunimin ushtarak me Rusinë dhe “mungesën e transparencës dhe dezinformimin”.
Komunikata i bëri thirrje Pekinit “të veprojë me përgjegjësi në sistemin ndërkombëtar “.
Më herët presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se NATO-ja është “shumë e rëndësishme” për interesat amerikane. Sipas tij klauzola e NATO-s për mbrojtje reciproke është “një detyrim i shenjtë”. Biden i bëri komentet pasi mbërriti në Bruksel për të marrë pjesë në samitin me udhëheqësit e NATO-s./REL/
Top Channel