Në deklaratën e Samitit të NATO-s do të përfshihet edhe Kosova
Në tekstin e përgatitur për miratim nga ana e shefave të shteteve të Aleancës pritet të mbështetet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Pritet po ashtu të përsëritet përkushtimi i NATO-s për të ndihmuar në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe do t’u bëhet thirrje vendeve të rajonit për një partneritet dhe bashkëpunim më të madh mes vete.
Në tekstin e deklaratës do të shprehet mbështetje edhe për Bosnjë e Hercegovinën, integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi.
Samiti i sotëm në Bruksel është i pari në të cilin merr pjesë edhe presidenti amerikan, Joseph Biden, që nga betimi i tij në këtë pozitë, në janar të këtij viti.
Nesër (15 qershor) në Bruksel do të zhvillohet edhe një samit i BE-së me Shtetet e Bashkuara. Këto takime, si në NATO, ashtu edhe në BE, shihen si dëshmi për forcimin e aleancës mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane. Pikërisht rajoni i Ballkanit Perëndimor, e sidomos Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina, shihen si shembull ku bashkëpunimi transatlantik është rruga më e mirë për të arritur sukses.
Shumica e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë bërë anëtare të NATO-s, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës dhe Serbisë.
Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina janë anëtare të Partneritetit për Paqe me NATO-n, ndërsa në Kosovë NATO-ja ka misionin e saj ushtarak të KFOR-it.