Në gjysmën e parë të vitit 2024, gati dy milionë kosovarë vizituan Greqinë

Pas zbatimit të liberalizimit të vizave nga Bashkimin Europian më 1 janar 2024, ka pasë një rritje të dukshme të udhëtimeve nga Kosova në Greqi: vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024, gati dy milionë kosovarë vizituan Greqinë, duke krijuar kështu lidhje më të forta sociale dhe njerëzore midis dy kombeve, trasnmeton Express.
Kështu shkruan shefi i Zyrës së Kosovës në Greqi, Fitim Gllareva, në një shkrim autorial në gazetën greke “To Vima” në një artikull për 17 vjet pavarësi të Kosovës, raporton Gazeta Express.
Autori i këtij shkrimi, Fitim Gllareva, i cili është shef i Zyrës së Kosovës në Greqi, i bën jehonë edhe lidhjeve kulturore të përfocuara mes Kosovës e Greqisë, si dhe rolin e kësaj të fundit në rajon.

“Universiteti i Prishtinës ka prezantuar kurse të gjuhës greke dhe ka zyrtarizuar marrëveshje bashkëpunimi me disa universitete greke, së fundmi me Universitetin Panteion”, shkruan ai, ndërsa shton: “Megjithëse Greqia nuk e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ky përvjetor ofron një mundësi për të theksuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit, dialogut dhe prosperitetit të përbashkët për të gjitha vendet në rajon”.
Po ashtu, ai thotë se Kosova i është mirënjohëse Greqisë, “një vend lider në rajonin tonë që ka luajtur një rol të rëndësishëm në integrimin e Kosovës në proceset europiane, veçanërisht në kuadër të Agjendës së Selanikut të vitit 2003”.
Për më tepër, vazhdon Gllareva, shkëmbimet ekonomike midis dy vendeve vazhdojnë të rriten në mënyrë të qëndrueshme nga viti në vit, duke kaluar tashmë 300 milionëshin.
“Kompanitë greke tashmë janë të pranishme në Kosovë dhe janë mirëpritur ngrohtësisht. Falë vendndodhjes së saj strategjike në zemër të Ballkanit, Kosova ofron qasje të përshtatshme në Bashkimin Europian me rrugë ajrore, rrugore dhe hekurudhore, si dhe nëpërmjet porteve kryesore detare si Selaniku (Greqi), Durrësi (Shqipëri) dhe Tivat (Mali i Zi). Popullsia e re, taksat e ulëta mbi të ardhurat, një sistem bankar i sigurt dhe një monedhë e qëndrueshme janë ndër faktorët kryesorë që krijojnë një klimë të favorshme për investitorët, veçanërisht në sektorë si energjia, miniera, telekomunikacioni dhe teknologjia e informacionit. Ambiciet e Kosovës për integrim euroatlantik janë gjithashtu në përputhje me standardet më të gjera të Bashkimit Europian, duke nënvizuar gatishmërinë e vendit për të zbatuar reformat që do të lehtësojnë konvergjencën më të thellë me BE-në”.