Në një fshat në Mal të Zi, janë regjistruar temperaturat si në Siberi – minus 27.7 gradë celsius

Sipas informacioneve nga stacionet matëse të Institutit të Hidrometeorologjisë dhe Sizmologjisë të Malit të Zi, temperaturat e ajrit siberian janë matur në disa vende të Malit të Zi mëngjesin e sotëm, ku temperatura më e ftohtë në Kosanicë ka qenë minus 27.7 gradë Celsius.
Në Kosanicë afër Pljevljes temperatura mëngjesin e sotëm në orën 6:00 ka arritur në minus 27.7 gradë Celsius.

Temperatura e ulët rekord prej minus 24.8 gradë është regjistruar në Njegovudja afër Zhabljakut, ndërsa në Zhabljak në orën 06:20 ka qenë minus 16.9 gradë.
Temperatura shumë të ulëta janë shënuar edhe në shumë pika të tjera matëse në Mal të Zi, kështu që mund të konstatohet se mëngjesi i sotëm është mëngjesi më i ftohtë i këtij dimri.
Meteorologët bëjnë të ditur se temperaturat shumë të ulëta do të mbeten edhe në netët dhe mëngjeset në vijim.