Në Qeveri nënshkruhen marrëveshjet, komunat përfitojnë 250 milionë euro

55

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot ka nënshkruar marrëveshjet për ndarjen e mjeteve për realizimin e projekteve kapitale, për të cilat komunat morën pjesë në thirrjen publike. Më shumë mjete janë paraparë për investime në infrastrukturën e transportit, për çka Qeveria u ndau komunave 2 miliardë e 800 milionë denarë, të cilat pritet të investohen në rrjetin lokal rrugor, rrugë, shtigje, rrugë qasëse. Për projekte në arsim do të ndahen rreth 133 milionë denarë, me të cilat do të rinkonstruohen, ndërtohen dhe modernizohen shkolla dhe salla sportive dhe dhe do të përmirësohen kushtet në arsim. Në fushën e politikës sociale, demografisë dhe të rinjve do të ndahen 59 milionë denarë me të cilat do të ndërtohen kopshte të reja. Në fushën e sportit do të ndahen 220 milionë denarë me të cilat do të ndërtohen qendra sportive, parqe dhe salla sportive. Në fushën e kulturës dhe turizmit do të ndahen afër 200 milionë dhe në fushën e ekologjisë do të ndahen 630 milionë denarë për investime në kanalizime atmosferike dhe dekale, kolektorë, ujësjellës dhe projekte të tjera.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

“Sot është nënshkrimi i kontratave ndërmjet ministrive të qeverisë dhe njësive të vetëqeverisjes lokale, përkatësisht komunave që kanë marrë pjesë në thirrjen publike, kanë përmbushur kushtet dhe kanë pranuar mjete nga projekti në vlerë të përgjithshme prej 250 milionë euro për investime kapitale për komunat, një pjesë e atyre mjeteve do të realizohen në këtë buxhet, pjesa e mbetur e plotësuar me ato mjete që mungojnë do të jetë me buxhetin e ardhshëm për vitin e ardhshëm. Sipas thirrjes së parë të shpallur nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, sot kemi përfshirë kontrata për 274 projekte me vlerë të përgjithshme prej rreth 4,1 miliardë denarë”.

Mickoski tha se, për komunat që nuk morën asnjë projekt, në mesin e të cilave është edhe Qyteti i Shkupit, do të ketë afat shtesë. /SHENJA/

Comments