Nëna nga Zhelina, mes lotësh, kërkon lirimin e djalit të saj me të meta mendore, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim

Edhe pse ekspertiza mjekoligjore ka konstatuar se Besjan Nuhija vuan nga diagnoza F79, e cila është një çrregullim që nënkupton ngecje në zhvillimin psikofizik në nivele të kufizuara, këtij të fundit i është vazhduar edhe për tre muaj paraburgimi, gjë që ka detyruar bashkëfshatarët dhe familjarët e tij sot para Gjykatës Themelore në Tetovë të mblidhen në shenjë proteste për të kundërshtuar këtë vendim, siç thonë ata, të jashtëligjshëm për një person me mbetje mendore dhe në gjendje të rëndë psikofizike.
“E gjithë fshati e njeh dhe të gjithë e dinë se në çfarë gjendje është Besjani, ai nuk di as të shkruajë, as të lexojë, por është njeri i qetë dhe i sjellshëm me të gjithë. Ne e shohim çdo ditë dhe e dimë se çfarë mund të bëjë, ai nuk mund të dëmtojë askënd. Por çfarë bëri drejtësia? E mbylli një njeri të sëmurë mendor që nuk ka as mendje për të kuptuar ndëshkimin që po i bëjnë. Ekspertiza ligjore ka thënë qartë se ai nuk mund të kuptojë përgjegjësinë ligjore, por përpërseri gjykata dhe prokuroria e injoruan këtë dhe vendosën ta mbajnë të mbyllur. Kjo nuk është drejtësi, kjo është padrejtësi e pastër përderisa kriminelët janë të lirë, ndërkohë që njerëzit e pafajshëm dhe të sëmurë mendorë po burgosen për shkak të një sistemi të prishur,” tha Venhar Kadrija në protestën e sotme para Gjykatës Themelore.
Me lot në sy, nëna e Besjanit tregon se si e kanë keqtrajtuar djalin e saj. Ai ka qenë i rrahur barbarisht edhe nga raportuesi, por edhe nga policia. Ndërkohë, duke kërkuar ndihmë, ajo deklaron se djali i saj nuk është i aftë për të kuptuar ndëshkimin dhe nuk ka dëmtuar askënd deri më sot.

“Unë si nënë e dua djalin tim në liri, jo një njeri pa faj të qëndrojë në burg dhe ai që e ka rrahur djalin dhe i ka bërë sherr të rëndë të shëtitet i lirë. Fëmija im nuk ka qenë fëmijë që ka bërë probleme, diagnozën e ka pasur që nga i vogël, nuk di shkrim-lexim dhe ka probleme me përqendrimin. Kjo është padrejtësi, nuk ka drejtësi këtu. Unë e dua djalin tim në liri dhe përveç kësaj, polici ma ka rrahur djalin në burg dhe djali ka qenë pa ndjenja. Tash, kur e shoh djalin, djali është humbur. Ai nuk di as të pastrohet, as të rregullohet. Të gjithë e njohin djalin tim dhe askujt nuk i ka bërë dëm. Ujin sipër rind dua djalin në liri nesër ta kem,” tha nëna e Besjanit sot para Gjykatës Themelore në Tetovë.
Në bazë të fotografive që i janë dërguar redaksisë sonë, Besiani ka qenë i rrahur edhe nga vet raportuesi i cili ka denoncuar në polici, ndërkaq sipas nënës së tij, ai është keqtrajtuar edhe në burg. Besiani po vuan paraburgimin në bazë të akuzës për vetëkënaqjen në praninë e një të mituri. /TS-Nevrij Ademi/