‘Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë’: I jepet lamtumira e fundit Haxhi Thaçit

65
fresco

I është dhënë lamtumira e fundit Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili vdiq të dielen në moshën 86-vjeçare.

Në varrim, u panë një numër i madh i qytetarëve që u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën Thaçit, derisa paraprakisht pati edhe një mbledhje komemorative.

Në anën tjetër, Gjykata Speciale nuk ia ka mundësuar ish-presidentit Thaçi pjesëmarrjen në varrimin e babait, duke mos dhënë informacione se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë” – thuhet në një komunikatë për media.

midle

Por në varrim u pa një mesazh i dërguar nga Thaçi ndaj babait të tij ku shkruhej:

“Në spital të thashë lamtumirë, babë! Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë!”.

Edhe në mbledhjen komemorative të mbajtur në Skenderaj kanë marrë pjesë një numër i madh i qytetarëve, që kanë bërë homazhe pranë arkivolit të Haxhi Thaçit.

Gjatë mbledhjes, mbajtën fjalime liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, përfaqësues nga Shqipëria, dhe në fund, edhe djali i ish-presidentit Thaçi, Endrit Thaçi.

“Faleminderit nga zemra për ngushëllimet për fjalët prekëse. Në emër të familjes Thaçi, në emër të babit iu falënderoj për mbështetjen. U jemi mirënjohës të gjithëve. Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta takuar babin ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve. Besimi ishte më i madh se aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit çdo orë priste t’ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa ditë. Tri orë atë ditë, iu bënë një jetë. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin. Vdekjen e shpejtë të gjyshit e pashë në fytyrën e babait kur doli nga spitali. Ai iu mbijetoi të gjitha vuajtjeve, por këto 4 vite nuk i mbijetoi dhimbjes nga padrejtësia. Sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë. Me vdekë pa u koritë, siç thoshte ai. Gjysh, as sot nuk jemi korit. Babin nuk e lejuan të jap lamtumirën e fundit, nuk e lejuan t’ia gjuajë një gusht të dheut të Drenicës, por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina” – tha Endrit Thaçi, transmeton Nacionale.

Comments