Nikollovski thirrje Prokurorisë Publike për rastet ndaj Merkos

62

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, i bëri thirrje Prokurorisë Publike që të bëjë punën e saj, të procedojë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me kryetarin aktual të komunës së Strugës, Ramiz Merko si dhe me zyrtarët e tjerë, për të cilët ai ka dërguar denoncime përkatëse në Prokurori. Për momentin ndaj Merkos janë aktive tetë lëndë. Disa prej tyre tashmë janë në gjykim në Gjykatën Themelore në Strugë.

“Deri kur do të tolerohet kryetari i komunës së Strugës? Aty me vite plazhet funksionojnë në mënyrë ilegale dhe pa marrëveshje për koncesion? Është pyetje e shkëlqyer për Prokurorinë. I bëj thirrje Prokurorisë Publike të veprojë. Deri më tani si ministër kam dërguar më shumë se 15 lëndë në Prokurorinë Publike. Shpresoj se ata kanë nevojë për kohë për t’i zgjidhur ato. Për zyrtarë të ndryshëm nga niveli më i ulët deri tek ai më i lartë. Në Strugë ka hetime aktive dhe Prokuroria Publike duhet t’i kryejë dhe shpresoj që ata që bëjnë shkelje të shkojnë në gjykatë dhe të dënohen”, tha Aleksandar Nikollovski- ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Më 28 nëntor Merko do të paraqitet në gjykatë lidhur me emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat fillore në fshatrat Veleshtë, Llabunishtë, Podgorcë dhe Vëllezërit “Milladinov”. Në cilësinë e dëshmitarit duhet të paraqitet ish ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri. Ministria e Arsimit nuk e përjashton mundësinë që Merkos t’i merren kompetencat edhe për shkollat e tjera fillore, pasi atij tashmë i janë marrë kompetencat për dy shkolla fillore në fshatin Podgorcë dhe Dërsllajcë.

“Nuk ka kompetenca të hequra në shkollat e tjera. Dhe nëse do të merren, do ta dimë pasi të marrim procesverbalin nga Inspektorati. Procedurat janë ende në vazhdim”, u shpreh Ministria e Arsimit.

Ish inspektori i Arsimit Gjorgi Ilievski thotë se Merkos duhet t’i hiqen tërësisht kompetencat në arsim.

“Vlerësoj që atij duhet t’i merren kompetencat në të gjitha shkollat fillore në Strugë dhe rrethinë, sepse veprimet kundërligjore, kryerja e krimit edukativo-arsimor, që nuk është diçka e re, është prezent edhe sot. Prandaj mendoj që Ministria e Arsimit duhet t’ia heqë sa më parë të gjitha kompetencat në të gjitha shkollat fillore”, deklaroi Gjorgi Ilievski – ish inspektor i arsimit.

Ndaj Merkos në fillim të tetorit është ngritur edhe një akuzë për emërimin e paligjshëm të drejtorit në shkollën e fshatit Ladorishtë. Ndaj Merkos aktiv është edhe procesi gjyqësor, për blerjen e makinës luksoze, në kohën kur komuna kishte llogari të bllokuar./alsat.mk

Comments