Nisin zyrtarisht bisedimet Kim dhe Putin në Kozmodromin Vostochny

166

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë nisur zyrtarisht bisedimet e tyre, të ulur pranë njëri-tjetrit përpara flamujve të të dy vendeve në Kozmodromin Vostochny.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se bisedimet mund të përfshijnë një marrëveshje të mundshme armësh që mund të bëjë që Pheniani të sigurojë armë për Moskën për t’i përdorur kundër Ukrainës.

Përpara mbërritjes së liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, presidenti rus Vladimir Putin foli me gazetarët në Kozmodromin Vostochny, vendi i lëshimit të raketave hapësinore të Rusisë në rajonin e Lindjes së Largët të vendit.

Një gazetar pyeti nëse Rusia do ta ndihmonte Korenë e Veriut “të lëshonte satelitët dhe raketat e veta”, të cilës Putini iu përgjigj: “Pikërisht për këtë kemi ardhur këtu”.

“Udhëheqësi i Koresë së Veriut tregon interes të madh për hapësirën, për raketat dhe ata po përpiqen të zhvillojnë hapësirën. Ne do të tregojmë objektet tona të reja,” tha Putin.

Putin u tha gjithashtu gazetarëve se me liderin koreano-verior do të diskutojnë të gjitha çështjet pa nxituar.

Comments