Një abetare për gazetarinë interpretuese
Ekziston një literaturë e farëfarshme dhe studime të vazhdueshme mbi llojet e reja gazetareske. Por, kryeministri i Kosovës ka vendosur që ta pleqërojë këtë punë krye-në-vete në restaurante me mbështetësit e vet. Së fundmi, ai e zbuloi se ku i dhemb më fort kur i bëhet mbulimi medial atij dhe guvernës së tij. “Plot (prej lajmeve) janë vetëm opinione të ambalazhuara si lajme”, tha ai. Prejse mbahet mend, raportimi gazetaresk është bërë më laraman e më laraman dhe format e tij shprehimore më të nuancuara e përtej raportimit të thjeshtë. Lajmi gazetaresk më nuk është se ka rënë shi me gjyma dhe rrugët e Prishtinës janë bërë gjiriz i hapur, por pse kryeqyteti ka një rrjet të dhjerë kanalizimesh dhe pse qeveritë lokale nuk janë dertuar për këtë punë. Ky stil i ri quhet gazetari interpretuese dhe, si i tillë, ka vendin e vet legjitim e të natyrshëm në gazetarinë bashkëkohore. Kjo gjë nuk duhet të jetë as e nëntëdhjetë e gjashta gajle mes njëqind sosh sa duhet t’i ketë një kryeministër. Ose-ose, kryeministri duhet të mjaftohet me ‘gazetarinë’ që i shkon midesë së natyrës së organizatës së tij politike, aso mediumesh, me nder me thënë, që shërbehen si prej shishkave të sirupit me gjysmë të vërteta, mbithjeshtëzime e mistifikime.
Col Mehmeti
Faktet dhe interpretimet përzihen lirshëm në raportimin zgjedhor. Interpretimi sjell temën, kurse faktet e ilustrojnë atë. Ta vizatosh me sytë e mendjes i bie që tema është qerrja, kurse faktet rimorkioja. Ky është përkufizimi më shqip për atë trend e lloj gazetaresk që quhet gazetari interpretuese. Është një fytyrëzim i gazetarisë që ka filluar prej viteve ’90, që vazhdon sot e gjithë ditën me gazetarinë digjitale si formë mbizotëruese.
“Opinione të ambalazhuara si lajme”
Ka një paradoks në vete kur me këto gjëra bëhen gajle politikanësh e muhabete restaurantesh, ku takëmi i zbrazët i ofertës politike shërben luftë speciale, helm e vrerë kundër medias. Këtë komoditet e kishte edhe vetë kryeministri Albin Kurti të cilit mbështetësit e tij i bën konak në restaurant ‘Feliks’ në Istog.
“Kurrë ma vështirë nuk ka qenë me i ngu lajmet në Kosovë. A e dini pse? Jo për shkak se ka lajme të rrejshme, por për shkak se nuk janë lajme hiç. Plot prej tyre janë opinione, të ambalazhuara si lajme”, tha Kurti me gjithë mend para mbështetësve të tij që e dëgjonin gojëhapur.
Gazetaria interpretuese ka qenë po aq e shprehur, fjala vjen, edhe për pararendësit e Kurtit. Ata kurrë nuk u morën me të, makar ta harxhonin krejt energjinë kundër saj. Harrohet që me temat e saj, domethënë gazetarisë së kësofarshme, Kurti shtynte më bërryla e godiste të tjerët nën brez. Thënë ndryshe, gazetaria e atillë ishte për të herë parzmorja që i jepte siguri, herë shqyti që e mbronte nga goditjet e herë topuzi që i godiste të tjerët. Kaq për sa i përket luftës për fron ku gjithçkaja tolerohet sebep funksionalitetit a interesit të përkohshëm.
Media si dua unë
Vetëvendosja nuk ndryshoi viz-a-vi medias, por pushteti e dritësoi një problem thuajse ontologjik të saj me median. Natyra e VV-së është ajo e një sajentologjie (scientology), ku nocioni i medias moderne nuk njihet asfare. Asaj madje nuk i leverdis që të ketë një medium të vetin prej të cilit do të dilnin tre-katër profile të forta e të besueshme gazetarësh. Ja që sajentologjia nuk ka nevojë për një medium modern; ajo është e bërë në krye të herës për t’u shërbyer në doza të vogla, si shishka sirupi, me gjysmë të vërteta, rrena e keqinterpretime brutale.
Ky është psehu që një parti me mbështetje të frikshme te porcionet më analfabete të shoqërisë nuk është në gjendje ta përshquajë as edhe një të vetmin gazetar të sajin ose autoritet moral.
I vetmi ‘gazetar’ i VV-së është Jeton Sopa, kameramani i shndërruar në gazetar, një karagjoz rrëfim në vete, kurse i vetmi medium është ‘Kosovanews’ e usta Arlind Manxhukës.
Dhoma bullizimi
VV-ja në hartën e saj strategjike nuk e ka luftën kundër medias per se. Media, në të vërtetë, është një terra incognito për të, dhe kjo është arsyeja pse ajo nuk e bën kabull kuturisjen në të.
VV-ja gjithë hallin e ka si të prodhojë narracion në botën paralele të kosovarit mesatar: pra në brigjet e plazhet e kiberbotës dhe rrjeteve sociale. Ndaj, kjo është arsyeja pse resurset e partisë që sillet si shtet janë në shërbim të amplifikimit të të frikshmeve ‘echo chambers’, hajateve e qymezeve virtuale ku jehon vetëm vizioni i çoroditur e veshgërricës i VV-së.
Meqë dhomat e tilla e kanë disi të zorshme të jenë ishuj të izoluar, në këtë kohë mbiinformacioni, përmeqatja madhore e partisë-shtet është te kiber-bullizimi (cyberbullying) ose ngacmimet kibernetike (cyberharassment).
Të flasim me gojën e ekspertëve
Ka shumë e shumë gjëra shkollareske që nuk janë thënë në restaurantin ‘Feliks’ në Istog. Thelbi i raportimit interpretues, ose gazetarisë interpretuese, shkon përtej fakteve themelore të një ngjarje duke sjellë një mbulim më zhbirues. Përparësia e gazetarisë interpretuese është se rezultantja e saj është shpesh trendbërëse (trend-setting). Çfarë ka këtu për t’u tërbuar një kryeministër?
Qysh në fillimvitet ’90, politologu amerikan Thomas E. Patterson ka pikasur trendin e kahershëm të lajmeve që po bëheshin më interpretuese, ku gazetarët më fort se lajmëbërësit po bëheshin burim i këtij interpretimi.
Derisa stili i ‘vjetër’ përshkrues gazetaresk e vë gazetarin në rolin e vëzhguesit, stili interpretues kërkon që gazetari të veprojë si analist. Gazetari, sipas Pattersonit, pozicionohet asisoj sa të formësojë lajmet në një mënyrë që nuk është e mundur te stili thjesht përshkrues. Dallimi është më tepër te roli gazetaresk. Kështu, aty ku ka rol pasiv dhe neutral gazetari vepron si përhapës (disseminator) informacioni, me përcjellje thjesht të fakteve të një ngjarje. Në anën tjetër, roli aktiv e partizan ka në qendër gazetarinë që e përdor platformën mediale si kritikë eksplicite.
‘Pse’ më shumë se ‘Kur-Ku-Kush’
Si një gazetari gjithnjë e në evoluim, studiues e politologë të ndryshëm kanë bërë gjithfarë konceptualizimesh për të. Një nga përshenjat e saj themelore është se gazetaria interpretuese lidhet me praninë e gazetarëve në mbulim politik, rrjedhimthi ky stil është raportim i qendërzuar te gazetari.
Gjithnjë sipas konceptualizimeve studimore, gazetaria interpretuese përqendrohet më fort te shpjegimi apo analiza e ngjarjeve, duke vënë theksin te psehu si pyetje sesa të pyetjet faktuale ‘kur-ku-kush’. Në natyrën e këtij stili gazetaresk është që gazetari jep vlerësime për akterë apo ngjarje politike; kjo ka shtyrë ndonjë stuudiues, si vetë Pattersoni për shembull, ta përkufizojë gazetarinë interpretuese si gazetari skeptike, si kumtuese lajmesh të këqija.
Një tjetër tipar i vënë re prej studiuesish është se gazetaria interpretuese ngërthen në vete një lloj spekulimi sa i përket të ardhmes. Tekqë ngjarjet e ardhshme apo pasojat e ardhshme të ngjarjeve aktuale janë shpesh të panjohura, gazetaria e tillë pa çare duhet të shërbehet me një interpretim.
Duke e bërë bilancin e këtyre teorizimeve, Karolin Soontjens në një studim të sajin e ka ofruar përkufizimin e vet mbi gazetarinë interpretuese si “stil gazetaresk që shkon përtej gazetarisë përshkruese e të mbështetur në fakte. Ai karakterizohet me mbulim lajmesh që përmbajnë shpjegime gazetareske, vlerësime e vramendje, pa referime, të drejtpërdrejta a tërthorta, te faktet apo deklarimet që vijnë nga burimet.”
Të tilla janë teorizimet e njëmendta mbi gazetarinë interpretuese që nuk thuhen në turin elektoral të kryeministrit Kurti dhe luftës së madhe kundër mediave. Barabar me laramaninë e mediave janë shtuar edhe llojet gazetareske, ku fare ligjshëm janë edhe gazetaria interpretuese, gazetaria e opinionit si dhe format e zakonshme të saj me kolumne, editoriale, opinion-editorale, karikatura editoriale apo ekspertiza (pundity).