Njëzëri kundër gjuhës shqipe!

456

Dy konet e politikës në “drzhavës Severna”, si nga pozita edhe nga opozita maqedone janë të një mendimi për miratimin e ligjit për “branitellët” nga njëra anë, por edhe për shfuqizimin e ligjit për gjuhët e pakicave nga ana tjetër, ku me shfuqizimin e tij gjuha shqipe do të ngelej në përdorim vetëm si gjuhë e 20% nëpër komunat ku flitet kjo gjuhë, gjithmonë krahas sllavishtes së vojvodës Micko dhe titistit të ri Filipçe.

Miratimi i ligjit për “branitellët” në parlamentin e “drzhavës”duke anashkaluar dhe injoruar veteranëve të UÇK-së është fundi hipokrizisë së subjekteve politike shqiptare si dalës zot të çeshtjes shqiptare.

Nëse partiçkat tona politike në të kaluarën kanë premtuar mbrojtjen e interesave kombëtare, sot është koha për ta dëshmuar me vepra duke e refuzuar e ligjin për “branitellët” i cili glorifikon luftën e tyre patriotike kundër “terroristëve”shqiptarë sipas tyre, ku në anën tjetër përdhos idealin dhe gjakun e veteranëve dhe dëshmorëve të UÇK-së në përballje me padrejtësinë.

Ky do të ishte guri i provës së patritizmit të rrejshëm dhe qëndrimit të vërtetë të gjithsecilit deputet shqiptar që do të hidhte poshtë ato mballoma që mbulojnë ligjin për “branitellët” dhe denigrojnë shqiptarët!

Ndaj, nuk mund t’i paragjykojmë deputetët shqiptarë në qëndrimet dhe veprimet e tyre para kohe sesi do të veprojnë ata nëse miratohet ligji për “branitellët” dhe nuk përfillen veteranët e UÇK-së, apo kur të shfuqizohet ligji për gjuhët e pakicave!

Gjithçka që duam ne shqiptarët ka ngelur sot në dorën e deputetëve shqiptarë për vendimin e tyre për apo kundër në ditët dhe javët që do të vijnë, nëse kanë një çikë ndjenjë të krenarisë kombëtare apo do vërviten pas parasë dhe llokmave të pushtetit.

Koha është tani!

Medai Shaholli

Comments