Nuk ndalen reagimet për Rashkovskin! “Gjyqësori LSDM-BDI solli liri për kriminelët”

335

Nuk ndalen reagimet pasi që ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, nga burgu u lirua në paraburgim shtëpiak. Sipas opozitares VMRO-DPMNE vendimi i tillë është tregues për, siç thonë, sistemin e kapur juridik nga ana e Zoran Zaevit.

“Pasi që në opinion dolën informacione se Dragi Rashkovski është i gatshëm “të këndojë” për krimin e Zoran dhe Vice Zaev, ndërsa duke pasur parasysh se i di të gjithë ato për shkak se e kanë njeri të besueshëm dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt, ndodhën dy gjëra: nën një – Zoran Zaev kreu presion publik ndaj Prokurorisë në intervistën për javoren Fokus, ku qartë tha se nuk pajtohet me vendimin e Prokurorisë dhe se mendon se Dragi Rashkovski është i pafajshëm, gjë që është skandal në vete për shkak se Kryeministri si bartës i pushtetit ekzekutiv nuk duhet të përzihet në pushtetin ligjvënës dhe gjyqësor, në këtë rast është përzier në punën e pushteti gjyqësore, dhe gjëja e dytë që ndodhi si rezultat i atij presioni, dje Dragi Rashkovski u lirua”, u shpreh Aleksandër Nikollovski nga VMRO-DPMNE.

Me reagime doli edhe opozita shqiptare të cilët thonë se lirimi i Rashkovskit nga Shutka erdhi pas deklaratës së kryeministrit, Zoran Zaev i cili tha se nuk i beson prokurores, por  beson se Rashkovski është i pafajshëm.

“Qeveria LSDM-BDI deri më tani ka liruar, amnistuar, ose shpëtuar në forma të ndryshme të gjithë ish funksionarët dhe funksionarët aktual nga çdo përgjegjësi ligjore. Edhe një kryekriminel i Qeverisë që me paratë e qytetarëve u bë milioner, bënte pushime në Meksikë dhe blinte shtëpi e vetura luksoze, u shpëtua nga gjyqësori i politizuar i LSDM dhe BDI”, thonë nga koalicioni ASH-AAA.

I pyetur nëse vlerëson se Rashkovski është i pafajshëm, zv.kryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski u përgjigj:

“Mendoj se më në fund i liruam institucionet, ndërsa gjyqësori dhe prokuroria duhet të vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre dhe të kërkojnë përgjegjësi në rastet. Puna jonë është të sigurojmë transparencë, të mos ketë të paprekshëm. Këto rastet me Sasho Mijallkovin dhe Dragi Rashkovskin dhe të gjithë rastet tjera, sot konfirmojnë se nuk ka të paprekshëm”, deklaroi Lupço Nikollovski – zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit.

Hetimi i parë që udhëhiqet kundër Rashkovskit është për furnizimin e softuerit për shkelje në trafik, të cilin e ka blerë si sekretar i përgjithshëm, edhe pse MPB nuk ka pasur nevojë për të. Hetimi i dytë i cili u hap përderisa ai ishte në paraburgim gjithashtu është për furnizimin e softuerit, i cili është blerë në vitin 2017.

Përndryshe dje Prokuroria doli me raport për procedurën para-hetimore për arratisjen e Sasho Mijallkovit, por siç pohojnë, hetimi ka dëshmuar se askush nuk ka përgjegjësi penale, përkatësisht askush nuk e ka lajmëruar se do të vizitohet nga nëpunës policor. Thuhet se Mijallkov vetë është larguar nga shtëpia e tij, por jo edhe nga Shkupi apo shteti.

Comments