Osmani: Letonia e kupton më së miri pozicionin tonë – Kosova në BE parakusht për një Evropë në paqe

Presidentja Vjosa Osmani, është deklaruar për media pas takimit që ka zhvilluar sot me presidentin e Letonisë Edgars Rinkēvičs, shkruan Gazeta Express.
Ajo ka thënë se Letonia është partnere e fuqishme e Kosovës sot, dhe se ajo e kupton më se miri pozicionin tonë pasi që edhe ajo si Kosova, ka një të kaluar të dhimbshme dhe kufizohet me shtete fqinje agresore.

Tutje, presidentja Osmani ka deklaruar edhe se e ardhmja e Kosovës në BE është parakusht edhe për një Evropë të lirë dhe në paqe.
‘‘Sot kam kënaqësinë të ju uroj mirëseardhje në emër të qytetarëve të Kosovës. Në vendin tonë vlerësoheni si një mik i çmuar i Kosovës. Vizita juaj sot në Prishtinë, është dëshmi e marrëdhënieve të ngushta dhe të shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Letonisë. Letonia sot është partnere e fuqishme e Kosovës, ju keni përkrahur edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Sot dua të shpreh falënderimet tona të sinqerta. Letonia e kupton më se miri pozicionin e Kosovës, duke qenë se të dy vendet tona kanë një të kaluar të dhimbshme dhe shumë të vështirë, dhe kufizohemi me shtete fqinje agresore. Si Letonia ashtu edhe Kosova jemi të përkushtuar thellë për vlerat euroatlantike. Kosova vërtetë ka nevojë për kampionë sikurse ju. E ardhmja e Kosovës në BE nuk është jetike vetëm për ne si Kosovë, por mbetet parakusht edhe për një Evorpë të lirë të plotë dhe në paqe’’, ka thënë ajo mes tjerash. /GazetaExpress