Pacolli: Kthimi i Trumpit nuk do të jetë i këndshëm për shumë politikanë të Ballkanit
Ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, po pretendon se kthimi i Trumpit si president në Amerikë, nuk do të jetë i këndshëm për disa politikanë të Ballkanit.
‘’Në të vërtetë, rikthimi i Trumpit nuk do të jetë aspak i këndshëm për shumë politikanë ballkanas, të cilët prej vitesh kanë bërë politikë mbi retorikën e lodhur pseudopatriotike, duke e kthyer atë në një mjet manipulimi për të mbajtur pushtetin. Këta politikanë, të zhveshur nga çdo formë kreativiteti dhe vizioni, të frikësuar nga humbja e pozicioneve të tyre, fshihen pas tavolinave të luksit, të mbushur me hidhërim e urrejtje, të cilën mezi presin ta derdhin mbi qytetarët. Ata përdorin nacionalizmin si një narrativë të rrezikshme për të përçarë dhe kontrolluar shoqërinë, një lojë e vjetër që ka helmuar të gjithë Ballkanin. Por ardhja e Donald Trumpit mund t’i japë fund kësaj hipokrizie politike’’ thotë Pacolli për FrontOnline.
Pacolli shpreh zhgënjimin se qytetarët në Ballkan e kuptojnë këtë lojë të rrezikshme vetëm me vonesë, ndërsa politikanët vazhdojnë të shfrytëzojnë injorancën dhe emocionet e popullsisë për përfitime personale.
‘’Ai do t’i ekspozojë gënjeshtrat e tyre dhe do të detyrojë shumë liderë të dalin nga zona e tyre e rehatshme. Jam thellësisht i zhgënjyer që qytetarët në Ballkan e kuptojnë këtë lojë të ndyrë me vonesë, ndërsa politikanët vazhdojnë të shfrytëzojnë injorancën dhe emocionet e tyre për përfitime personale’’ potencon ai.